E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga-Fule diskutojnë për perspektivën evropiane të Kosovës

MYNIH - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të Konferencës së 48-të të Sigurisë në Mynih, takoi të premten eurokomisionerin për zgjerim, Stefan Fule, me të cilin diskutoi për perspektivën evropiane të Kosovës, procesin e dialogut për liberalizimin e vizave, kërkesën e Kosovës për marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

Presidentja Jahjaga falenderoi komisionarin Fule për nisjen e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave, duke e çmuar këtë si një arritje të përbashkët që sinjalizon përkushtimin evropian për rrugën e qartë të Kosovës drejt integrimit dhe perspektivës së qartë për qytetarët e Kosovës.

Njëkohësisht, presidentja përsëriti përkushtimin e institucioneve të Kosovës për procesin e dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për të adresuar problemet dhe gjetur zgjidhje që përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Presidentja Jahjaga theksoi se zgjidhja e gjendjes së krijuar në tri komunat veriore të Kosovës qëndron në zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës dhe pakos së Ahtisaarit.
Ajo kërkoi që në këtë pjesë të Kosovës të organizohen sa më parë zgjedhjet lokale, të cilat do të mundësonin zgjedhjen e përfaqësuesve legjitimqë do të përfaqësonin drejt interesat e qytetarëve serbë të Kosovës.

Presidentja Jahjaga po ashtu e njoftoi komisionarin Fule për krijimin e dy këshillave kombëtarë pranë Presidentes, Këshillin Kundër Korrupsionit dhe Këshillin për Integrime Evropiane, për të cilat mori përkrahjen e Komisionierit, i cili premtoi pjesëmarrjen e tij në përurimin e këshillit që do të merret me saktësimin, përshpejtimin dhe koordinimin e axhendës evropiane të Kosovës.

(er.nu/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›