Jahjaga: Havel, mik i Kosovës
Vdekja e Havel është një humbje e madhe për popullin dhe shtetin çek, por edhe për gjithë popujt liridashës në botë, të cilët në disidentizmin e tij gjetën shtytjen dhe frymëzimin për lëvizjet popullore për liri.
Ishte ky mesazhi i dhënë nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në telegramin e ngushëllimit për vdekjen e ish-presidentit të Republikës së Çekisë, Vaclav Havel.
Përkrahja e tij për Kosovën ka qenë e vazhdueshme dhe ajo është vlerësuar e është çmuar lartë nga institucionet dhe populli i Kosovës, pasi është nderuar me dekoratën e lartë Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr. Ibrahim Rugova.
Kujtimi për jetën dhe veprën e mikut të madh të Kosovës, Vaclav Havel, do të mbetet i përhershëm, përfundon më tej telegrami i presidentes.