E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Kosova ka nevojë për hapje të kufijve, jo bllokim të tyre

Ndaj paralajmërimit të Lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe të Dheu i Bardhë, për të penguar futjen në Kosovë të mallrave serbe, ka reaguar edhe presidentja e vendit, Ahtifete Jahjaga.

“E drejta e qytetarëve për të protestuar dhe në këtë mënyrë për të shprehur shqetësimet e tyre për një çështje është e drejtë legjitime dhe është e rregulluar edhe me Ligjet e Republikës së Kosovës. Organizimi i protestave paqësore nga një subjekt politik parlamentar, në këtë rast nga Lëvizja Vetëvendosje, ngërthen më vete përgjegjshmërinë për formën, qëllimin, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e protestës”, thuhet në komunikatën e zyrës së presidentes.

Në të thuhet se ajo, si Presidente e Republikës së Kosovës angazhohet për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për adresimin e të gjitha çështjeve brenda institucioneve dhe në zbatim të plotë të ligjit.

“Përcaktimin e Vetëvendosjes për të dalë në rrugë nuk e shoh si shterje të mundësive të veprimit brenda institucioneve të vendit. Ashtu si edhe në çdo rast tjetër, shpreh qëndrimin tim të fuqishëm si Presidente e vendit, kundër veprimeve që pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave”, thuhet në komunikatë.

Sipas saj, Kosova ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

“Në këtë rrugë tonën, si vullnet i yni i përbashkët, është parakusht respektimi i standardeve dhe i proceseve demokratike, lirive dhe të drejtave individuale dhe kolektive dhe respektimi i të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore, si dhe konventave ndërkombëtare”, vazhdon komunikata me thirrjen drejtuar qytetarëve të Kosovës që të mos bllokojnë rrugët.

“Thërras të gjithë qytetarët të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave. Thirrja për reciprocitet nuk mund të shërbejë për veprime kufizuese dhe penguese, sepse synimi ynë si shtet dhe si shoqëri demokratike me vizionin e integrimeve euroatlantike është hapja, bashkëpunimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira me të gjithë, si shtet sovran dhe i pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë”, përfundon komunikata e zyrës së presidentes së Kosovës, Ahtifete Jahjaga.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›