E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga-Nikoliq, takim i karakterit simbolik

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pritet të takohet gjatë muajit shkurt apo në fillim të marsit me homologun e saj serb, Tomislav Nikoliq.

Opozita në Kosovë e konsideron këtë takim pa relevancë, por të karakterit simbolik, shkruan "Zëri".

Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatçiu, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Kosovën Lindore, pas heqjes së lapidarit nga xhandarmëria e Ivica Daçiqit, thotë se është një tregues se Beogradi nuk është serioz në negociatat që po zhvillohen me Kosovën për normalizim të marrëdhënieve.

“Edhe takimi i dy presidentëve që është paralajmëruar se do të mbahet muajin e ardhshëm me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më shumë do të jetë formal, se sa që do të sjell ndonjë rezultat pozitiv”, thotë Sahatçiu.

Megjithatë, deputetja e LDK-së rikujton se me rezoluten e aprovuar në Kuvendin e Kosovës, qeveria e Kryeministrit Thaçi është ajo që udhëheq bisedimet.

E Vetëvendosje ka reaguar ashpër për takimin e paralajmëruar të presidentëve.

“Takimi i paralajmëruar i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë vetëm sa do t’i kontribuojë interesave të Serbisë. Negociatat pa kushte me Serbinë vetëm sa e kanë dëmtuar Kosovën dhe Luginën e Preshevës”, ka deklaruar Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›