Jahjaga: Shoqëria të ndërtohet në bazë të vlerave njerëzore

Me rastin e Festës së Pashkëve, Ipeshkvia e Kosovës ka organizuar një pritje për përfaqësues të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare në Kosovë, me ç’rast u përçuan mesazhe paqeje dhe tolerance për këtë ditë të shenjtë për besimtarët e krishterë.
Në këtë ceremoni morën pjesë drejtues të institucioneve të larta të vendit, përfaqësues të partive politike, KFOR-it, etj.
Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me këtë rast uroi që kjo festë të kthejë mbizotërimin e së mirës mbi të keqen. Ai ka thënë se njerëzit, pa dallim botëkuptimi apo feje duhet të jenë në mbështetje të të mirave dhe ndihmës ndaj atyre që kanë nevojë.
“Të vetëdijshëm se një shoqëri e tillë është e gatshme të sakrifikojë të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë të shtyrë nga dashuria që kemi për të gjithë njerëzit, dëshirojmë ta alarmojmë njeriun zemërbardhë, shpirtpastër dhe qëllimmirë, e sidomos ata të cilëve u është besuar përgjegjësia për ne pa marrë parasysh besimin, apo botëkuptimin e tyre që me drejtësi dhe përgjegjësi të vihen në shërbim të së mirës në mbështetje të familjes, në përkrahje të të dobëtëve, në ndihmë të të varfërve dhe ndershmërisht të bashkë ndërtojmë të ardhëm të sigurt”, ka thënë ipeshkvi Gjergji.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përgëzuar kreun e Ipeshkvisë së Kosovës dhe besimtarët e krishterë për këtë festë të madhe, duke uruar që këtë festë të Ringjalljes dhe të besimit në jetën e amshueshme, qytetarët e Kosovës t’i kalojnë në gëzime, hare dhe begati.
“Shteti do t’i kryejë të gjitha obligimet e saj kushtetuese dhe ligjore ndaj komuniteteve fetare dhe në këtë punë jemi të gjithë së bashku për të përparuar proceset demokratike për të ndërtuar shoqërinë me bazë të vlerave njerëzore dhe që të respektoj liritë dhe të drejtat e njeriut që respektojnë dinjitetin e individit dhe të institucioneve”, ka thënë presidentja Jahjaga.
Sot besimtarët e krishterë festuan Pashkët, të cilat shënojnë ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit, ringjallje që simbolizon besimin te Zoti.
Pashkët kremtohen të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit, që zakonisht kremtohen brenda 22 marsit dhe 25 prillit.
Sipas interpretimit biblik, me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq, në të Dielën e Pashkëve kur ringjallet./kosovapress/