Prishtina fundos Flamurtarin
Gara për titull në Superligë vazhdon të mbetet interesante pas fitores së liderit të tabelës Prishtinës dhe përcjellësit të saj, Hysit. Po ashtu, lufta për mbijetesë gjithnjë e më shumë po bëhet interesante.
Prishtina – Flamurtari 1:0
Lideri i Superligës, Prishtina ka shënuan fitore ndaj rivalit të kryeqytetit, Flamurtarit, me rezultat minimal, 1:0 në ndeshjen derbi të xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Mesfushorët Azem Ahmeti e Isuf Llumnica dhe portieri Flamur Neziri ishin më meritorët në këtë fitore shumë të rëndësishme të Prishtinës, e cila me ngulm po e kërkon titullin e kampionit.
Vendasit kanë dominuar gjatë gjithë pjesës së parë duke bërë përpjekje për të shënuar, por kuqezinjtë mirë mbroheshin dhe nëpërmjet kundërsulmeve përpiqeshin të kalonin në avantazh.
Përpjekjet e badhekaltërve për të shënuar gol kanë vazhduar edhe gjatë pjesës së dytë, duke i krijuar disa raste të mira, por assesi nuk ia dilnin t’i konkretizonin ato. Ndërkohë, kuqezinjtë vazhdonin të mbroheshin dhe nëpërmjet kundërzbritjeve kërcënonin vendasit.
Në minutën e 67-të, Prishtina kaloi në epërsi 1:0 me supergolin e realizuar nga Azem Ahmeti, i cili u shërbye nga Llumnica i disponuar për lojë.
Flamurtari ka lëshuar rast ideal për ta fituar një pikë nga kjo përballje, pasi në minutën e 81-të, Përparim Livoreka dështoi të shënojë gol nga penaltia, të cilën e përfitoi i talentuari Donrat Sahiti. Në fakt, gjuajtjen e Livorekës për mrekulli e ndali portieri i prishtinasve, Neziri.
Pas kësaj fitoreje, Prishtina ka katër pikë më shumë sesa përcjellësi i saj, Hysi. Kurse kjo humbje e vë Flamurtarin në rrezik edhe më të madh për t’u larguar nga elita e futbollit kosovar.
E pazakontë
Në këtë takim ka ndodhur një gjë e pazakontë, kur Isuf Llumnica me një sjellje ka mahnitur shikuesit. I nervozuar me Azem Ahmetin, i cili nuk ia pasoi një top, qëndroi statik në fushë, duke bojkotuar pranimin e pasimeve nga bashkëlojtarët.
Pas kësaj, trajneri Ramiz Krasniqi reagoi duke e nxjerrë nga loja Llumnicën, i cili me të dalë nga fusha, hodhi në tokë shiritin e kapitenit. Megjithëkëtë, Plisat përkrahën kapitenin e tyre.
Hysi – Ballkani 4:1
Përcjellësi i liderit të Superligës, Hysi është treguar i sigurt në përballje me Ballkanin, të cilin e mposhti me rezultat të thellë 4:1. Më meritorët në fitoren e bardhezinjve ishin kapiteni Mentor Zhdrella dhe Enis Zabërgja, të cilët realizuan nga dy gola.
Fillimisht Zhdrella në minutën e shtatë nga gjuajtja e lirë kaloi Hysin në epërsi, kurse tre minuta pa përfunduar pjesa e parë, Zabërgja pas një depërtimi individual shtoi epërsinë e vendasve në 2:0.
Edhe në pjesën e dytë, futbollistët e Hysit ishin të pandalshëm. Zhdrella sërish me një goditje precize nga gjuajtja e lirë dërgoi topin në portën e Ballkanit për rezultatin 3:0. Ndërsa në minutën e 54’t, Zabërgja shtoi epërsinë e vendasve në 4:0, pasi ishte i saktë nga pika e bardhë. Krejt çka arriti Ballkani në këtë takim, ishte zvogëlimi i epërsinë në 4:1 me golin e shënuar në minutën e 77’të nga Mullallari.
Trepça ’89 – Drenica 0:1
Përparim Demiraj ia ka siguruar tri pikë të arta Drenicës, e cila po lufton për mbijetesë. Kuqezinjtë kanë arritur të shënojnë fitore të madhe si mysafire e Trepçës ‘89 me rezultat minimal 0:1.
Në pjesën e parë, ‘Xehetarët’ kanë dominuar në fushë duke krijuar disa raste shënimi. Fatmir Tolaj në minutën e 20-të kishte rast të mirë për të shënuar, por goditja e tij përfundoi jashtë portës. Katër minuta më vonë, rast për gol pati edhe Isuf Sejdiu.
Edhe në pjesën e dytë, mitrovicasit dominuan derisa kuqezinjtë nëpërmjet kundërsulmeve mundoheshin ta rrezikonin portën e Enis Manxhollit. Dhe këtë e arritën tre minuta pa përfunduar ndeshja, kur Përparim Demiraj arriti ta gjejë rrugën deri te goli.
Pas kësaj humbjeje ‘Xehetarët’ nuk guxojnë të gabojnë më, sepse shumë letë mund të hyjnë në mesin e ekipeve të rrezikuara. Kurse këto tri pikë kuqezinjtë i largon nga zona e nxehtë.
Besa – Vëllaznimi 2:1
Besa i është rikthyer fitores pasi në shtëpi mundi Vëllaznimin me rezultat 2:1. Pejanët kanë dominuar në këtë takim dhe në minutën e 14’të kanë kaluar në epërsi me golin e shënuar nga Menusr Duraku. Vetëm pas 23 minutave, Egzon Gashi shtoi epërsinë e vendasve në 2:0, me një goditje nga distanca.
Edhe në pjesën e dytë, pejanët dominuan në fushë derisa dy minuta pa përfunduar takimi, gjakovarët kanë zbutur epërsinë e vendasve në 2:1 nëpërmjet Robert Gjerajt, i cili realizoi nga penalltia. Pas kësaj humbjeje, Vëllaznimit mbetet në zonën e rrezikshme, derisa i mbetet ende punë që ta sigurojë mbijetesën.
TabelaNd. Dif.Pikë
1. Prishtina252455
2. Hysi252651
3. Besa251039
4. Trepça25438
5. Liria25736
6. KEK-u25236
7. Trepça ’8925-432
8. Drenica25-631
9. Ballkani25-1029
10. Vëllaznimi25-1126
11. Flamurtari25-1323
12. Ferizaj25-2921