Jahjaga dhe Nikoliç takohen në OKB
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe homologu i saj serb, Tomislav Nikoliç do t`i shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit në shtator, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare të cilat theksojnë se të dyja palët janë të gatshme për realizimin e këtij takimi, por kanë disa kushte.
Burime ndërkombëtare kanë theksuar për mediat se New Yorku mbetet opsioni më i mundshëm për ta realizuar këtë takim simbolik të Presidentes së Kosovës me Presidentin e Serbisë.
“Janë duke u shqyrtuar disa opsione për një takim ndërmjet dy liderëve. Por, aktualisht më i mundshëm është takimi i tyre në margjinat të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Asambleja e Përgjithshme është mundësi ideale që lajmi mos të ketë kritika, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd”, ka thënë një zyrtar i lartë ndërkombëtar, i akredituar në Prishtinë.