Pleqëria e dhjamur e politikës, pensioni i një deputeti të paktën 6 herë më i lartë se i një qytetari
Në Shqipëri sistemi i pensioneve është ndërtuar në mënyrë të tillë, që edhe pse një qytetar mund të paguajë kontributet maksimale gjithë jetën, pagesa që shteti i jep aktualisht si pension nuk mund të jetë më shumë se 24 mijë lekë në muaj.
Por skema ka përjashtime me përfitime të dukshme për ligjvënësit dhe qeveritarët. Privilegjet fillojnë që pa ardhur mosha e pensionit. Në bazë të ligjit të pensioneve suplementare një deputet, qeveritar apo zyrtar i lartë i funksioneve kushtetuese, në rast se largohet nga detyra dhe fillon një punë tjetër me pagë më të ulët, përfiton menjëherë nga skema e sigurimeve diferencën mes pagës që ka pasur në funksionin shtetëror dhe pagës së re.
Ky është privilegji i parë që pasohet nga një tjetër. Ai i të drejtës për të përfituar pension që në moshën 55 vjeç. Sipas ligjit, një ish-deputet apo funksionar i lartë që largohet nga detyra në moshën 55-vjeçare ka të drejtë të përfitojë një pension të barabartë me 50 për qind të pagës së tij për tre vjet. E thënë në vlerë pagesa për një deputet, që ende nuk e ka mbushur moshën për të dalë në pension, arrin në rreth 60 mijë lekë për tre vjet.
Privilegjet shtohen kur këta funksionarë mbushin moshën zyrtare të pensionit. Sipas ligjit, veç pensionit të zakonshëm, që merr çdo qytetar tjetër deputetët, qeveritarët dhe ish-zyrtarët e lartë kanë të drejtë të marrin pensionin shtesë, i cili rritet në përpjesëtim me vitet që kanë mbajtur në detyrë dhe mund të arrijë deri në 75 për qind të pagës së tyre ose deri në 120 mijë lekë në muaj.
Nëse Kryeministri do të dilte në pension, pagesa që do përfitonte sot do jetë rreth 170 mijë lekë ose tetë herë më shumë se pensioni maksimal i një qytetari të zakonshëm. Ndërsa krahasuar me një pension mesatar në fshat, shifra është 25 herë më e madhe. Ndryshimet ligjore që lidhen me këto privilegje, janë miratuar në të gjitha rastet me vota të plota në parlament. Këto ditë deputetët janë duke diskutuar që të heqin imunitetin, për t’u bërë siç thotë kryeministri të barabartë me qytetarët. Por në fakt, imuniteti nuk është dallimi i vetëm që ata kanë me qytetarët.
Ndaj në mos politika nuk vendos të ulë përfitimet për vete, të paktën të krijojë një skemë, prej së cilës qytetarët të përfitojnë më shumë./TCH
