Jahjaga dhe Thaçi përshëndesin lirimin e Haradinajt
Presidenca dhe qeveria e Kosovës kanë mirëpritur shpalljen të pafajshëm nga Gjykata e Hagës të Ramush Haradinaj. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është shprehur e lumtur që Haradinaj po i kthehet familjes së tij, qytetarëve të Kosovës dhe vendit, “për të vazhduar kontributin e tij në konsolidimin dhe forcimin e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi”. “Vendimi i Gjykatës së Hagës për Haradinajn dhe ish-bashkëluftëtarët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, është edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë. Vendimin e ka mirëpritur edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. “Ky vendim është dëshmia më e fortë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për liri dhe nuk ka kryer krime për të cilat jemi akuzuar padrejtësisht”, thuhet në deklaratën për shtyp të kryeministrisë. Duke uruar ish-kryeministrin dhe dy ish bashkëluftëtarët e tij, Thaçi ka ritheksuar se “lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë”.
Por dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për lirimin nga të gjitha akuzat të Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Kurse qeveria serbe në Beograd e ka konsideruar këtë vendim si të turpshëm. Zëdhënësi i qeverisë ka thënë se kjo ishte një goditje e rëndë për drejtësinë dhe një pengesë serioze për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.