Berisha-Milanoviç: Shqipëria dhe Kroacia, bashkëpunim në të mirë të integrimit evropian të rajonit
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me kryeministrin kroat Zoran Milanoviç, i cili ndodhet në Shqipëri, me ftesë të kryeministrit Berisha, për të festuar së bashku jubileun historik të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e kryeministrit kroat, si një kontribut tjetër të rëndësishëm dhe një sinjal të qartë të marrëdhënieve të shkëlqyera, miqësisë tradicionale, vullnetit të palëkundur të dy qeverive dhe popujve për të zgjeruar e forcuar edhe më tej, marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve e qeverive, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin frytdhënës e të suksesshëm që të dy vendet kanë ndërtuar dhe po konsolidojnë çdo ditëe më shumë, gjatë kësaj periudhe.
Kryeministri kroat Milanoviç e falënderoi kryeministrin Berisha për ftesën dhe pritjen e ngrohtë e miqësore dhe u shpreh se ndihej thellësisht i lumtur që ndodhej në Shqipëri në këtë ditë të shënuar për historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, mik të kombit kroat. Ai u shpreh gjithashtu se është një kënaqësi e veçantë që i jepet mundësia që urimet më të mira për popullin shqiptar, për zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë, për begatinë dhe prosperitetin e qytetarëve shqiptarë, t’ia japë personalisht kryeministrit Berisha, në këtë ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët.
Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, vullneti i palëkundur për ti zgjeruar dhe thelluar ato, miqësinë tradicionale mes dy popujve, si dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të të dy vendeve e kombeve tona.
Në takim u rikonfrmua gjithashtu vullneti i të dy vendeve për të bashkëpunuar në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe rajonal, si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt e dy vendeve dhe popujve tanë.
Kryeministri kroat i rikonfirmoi kryeministrit Berisha vendosmërinë dhe angazhimin e plotë, të tij personalisht, të qeverisë kroate, të Kroacisë mike dhe të popullit kroat për të vijuar të mbështesin fuqishëm Shqipërinë në hapat e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit në BE, duke vlerësuar se Shqipëria dhe populli shqiptar meritojnë anëtarësimin e plotë të BE, në një kohë sa më shpejtë.