E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvillon homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në nderim të të rënëve të Atdheut

29-11-2012 / Gazeta 55

Nishani: Ne gjithmonë do kujtojmë dhe vlerësojmë historinë tonë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot paradite homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në nderim të të gjithë atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e Shqipërisë.
I shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, Presidenti Nishani vendosi një kurorë me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri” dhe u përkul me nderim për sakrificat e dëshmorëve që ranë për Çlirimin e vendit.
Në fund të ceremonisë solemne, Kreu i Shtetit në një prononcim për gazetarët u shpreh se në këtë 100 vjetor të Pavarësisë një nderim i veçantë u kushtohet atyre që u ngritën, u bashkuan pa dallim feje e ideje dhe ranë në luftë për çlirimin e vendit.
Në një prononcim për mediat pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”, presidenti Nishani vlerësoi se “në këtë 100-vjetor të Pavarësisë një nderim i veçantë, një vlerësim i veçantë padyshim u kushtohet të gjithë atyre që u ngritën e ranë në luftën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit, në Luftën e Dytë Botërore”. “Sot ne të gjithë i kujtojmë dhe nderojmë veprën, trimërinë, guximin e tyre, por edhe vizionin e tyre. Atyre që u ngritën e u bashkuan pa dallim feje, krahine dhe ideje, por në mbrojtje të tokës, të vendit dhe të Flamurit tonë. Ne sot, në këtë kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë shprehim të gjithë nderimin tonë dhe përkuljen ndaj veprës së tyre. Vepra dhe kontributi i tyre janë sot më shumë se kurrë të realizuara. Sot, më shumë se kurrë, ideali dhe qëllimi i tyre është i jetësuar. Sot Shqipëria dhe shqiptarët janë një vend e një komb i lirë. Sot Shqipëria është aleate reale e NATO-s, e botës së madhe të Perëndimit, e aleatëve tanë të mëdhenj edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sot Shqipëria ecën e sigurt drejt integrimit në familjen evropiane. Prandaj sot më shumë se kurrë, ne kemi ç’tu themi të gjithë brezave që vijnë. Kontributi i të gjithë atyre që nga ngritja e Flamurit e deri në ditët e sotme është një kontribut që nuk ka shkuar kot”- deklaroi ai.

Presidenti i Republikës i përgjigjet edhe interesit të medias

Zoti President, mazhoranca dhe opozita janë ndarë në Ditën e Çlirimit. Ju vini sot duke respektuar zyrtarisht datën 29 apo besoni se data 29 nëntor është Dita e Çlirimit?

Çështjet e këndvështrimit të partive politike janë çështje të tyre. Presidenti i Republikës, më shumë se kushdo tjetër duhet të respektojë përcaktimet ligjore dhe atë çka Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në legjislacionin e ligjit përkatës. 29 nëntor, në ligjin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë është festa kombëtare, e cila kujton çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë.

Zoti President, a keni ndonjë koment në lidhje me refuzimin e vizitës që ka bërë Ministri i Jashtëm grek Avramopulos, në lidhje gjithmonë, sipas Ministrisë së Jashtme greke me deklarimin nga ana e Kryeministrit? A ju duket se kohët e fundit kemi një rritje të deklaratave?

Momente të tilla të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë apo të përvjetorëve të ndryshëm që lidhen me pavarësinë janë pjesë të rëndësishme të vlerësimit e të kujtesës së historisë sonë. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin që në tërë historinë e saj, edhe në çaste shumë të vështira, Shqipëria dhe shqiptarët kurrë nuk kanë pasur qëllime për të rrëmbyer territore ndaj fqinjëve. Kurrë nuk kanë pasur tentativë për të goditur fqinjët. Përkundrazi sot më shumë se kurrë, Shqipëria dhe shqiptarët, megjithëse kanë qenë të penalizuar nga koha dhe historia sa u takon trojeve të tyre, kanë promovuar parimet më të larta të bashkëjetesës, të fqinjësisë së mirë. Nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial nga Shqipëria dhe shqiptarët për vendet fqinje, por natyrisht në raste të referimit të historisë dhe në momente të tilla kur kujtohet historia, dhe më shumë se kurrë në ditët e Pavarësisë dhe të 100-vjetorit mund t’u referohemi ngjarjeve historike dhe unë besoj që nuk përbën asnjë cenim të interesave territoriale apo kombëtare të kurrkujt tjetër. Ne gjithmonë do të kujtojmë e do të vlerësojmë historinë tonë me vuajtjet, sakrificat, shqetësimet, problemet dhe vështirësitë që kemi pasur, por gjithmonë Shqipëria dhe shqiptarët, të gjitha institucionet e tyre kanë deklaruar se shikimi ynë është nga e ardhmja dhe Shqipëria është më e interesuar se kushdo tjetër që këtë të ardhme ta ndërtojë se bashku me fqinjët e saj.

Po përsa i përket emrit të Kryeprokurorit të ri, duke qenë se jemi në fund të muajit nëntor?

Edhe për pak ditë do t’jua shuaj kuriozitetin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›