Jahjaga e Hoxhaj mesazhe ngushëllimi për tragjedinë në Himarë
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka ngushëlluar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pas aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Himarë, në të cilin humbën jetën dhe u plagosën një numër studentesh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
"Me dhimbje të thellë morëm lajmin mbi vdekjen tragjike, si dhe plagosjen e studenteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani` të Elbasanit, në aksidentin e trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë – Himarë. Pranoni ngushëllimet e sinqerta të qytetarëve, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miat personalisht, për humbjen tragjike të jetëve të studenteve", thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të presidentes Jahjaga.
"Në këto çaste të rënda për familjarët e viktimave dhe për tërë Republikën e Shqipërisë jemi pranë jush për të ndarë dhimbjen e madhe për këtë tragjedi. Zotëri President, ju shpreh solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju ofrojmë përkrahjen e plotë", thuhet në telegram.
Nga ana tjetër Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami ngushëllimi dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka shprehur tronditjen e thellë të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur në Himarë, ku kanë gjetur vdekjen një numër i të rinjve dhe shumë të tjerë janë plagosur.
“Në këto qaste të rënda, ne i bashkohemi pikëllimit dhe dhimbjes së familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre në këtë tragjedi. Populli i Kosovës po ashtu i bashkohet lutjeve për shërim sa më të shpejt të të lënduarve në këtë tragjedi”, thuhet në telegram.
Ministri Hoxhaj ka shprehur solidaritetin dhe gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të ndihmuar me çdo mjet dhe në çdo formë autoritetet shqiptare dhe familjet e të aksidentuarve për tejkalimin sa më shpejtë të kësaj situate tragjike.
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e së hënës në aksin Himarë-Sarandë, ku një autobus me rreth 50 studentë në bord ka rënë në humnerë.