Jahjaga e Nikoliq shtrëngojnë duart sot pasdite

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe homologu i saj serb Tomislav Nikoliq do të takohen sot pasdite në Bruksel me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kathrin Ashton.
Takimi në nivelin më të lart shtetëror po bëhet “në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve të Prishtinës e Beogradit”, siç ka nënvizuar Ashton në ftesën dërguar Jahjagës e Nikoliqit për të shkuar në Bruksel.
Katherin Ashton në orën 16 do të filloi takimet e ndara me shefat e shteteve të Kosovës e Serbisë, e më pas pritet të shtrëngojnë duart Jahjaga e Nikoliq në takimin që parashihet të zgjas deri rreth orës 19, e ndoshta edhe më gjatë.
Përfaqësuesja e Lartë e BE më pas do lëshojë një komunikatë të shkurt me vlerësimin e takimit.
Presidenti serb Nikoliq para këtij takimi ka deklaruar se Serbia e ka qartësuar pozicionin e vet me Platformën për Kosovën dhe ai nuk mund të heq dorë nga ky dokument.
“Ky është rasti që zonja Jahjaga të dëgjoi atë që ndoshta nuk dëshiron të dëgjoj”, ka thënë Nikoliq. .
Takimi i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel po konsiderohet si afirmim i dialogut në mes Prishtinës e Beogradit në nivelin më të lartë. Sipas zyrtarëve të Komisionit Evropian me këtë konfirmohet se të dy palët po bëjnë përpjekje për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Jahjaga e Nikoliq po takohen pikërisht në 14 vjetorin e fillimit të negociatave të dështuara në Rambuje./Indeksonline/