E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në mars pritet raporti pozitiv për MSA

Zyrtarë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, thonë se në muajin Mars Kosova pritet të merr vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian në përmbushjen e kritereve afatshkurta, që është kushti kryesorë që vendit t’i caktohet data e fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, shprehen të bindur se në pranverë Komisioni Evropian do ta caktojë datën e fillimit të negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Zëvëndësministri i integrimeve evropiane, Gëzim Kasapolli, thotë se vendi ka shënuar përparime në përmbushjen e kritereve afatshkurta, të përcaktuara nga Komisioni Evropian, që kryesisht kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne, deri më tash kemi arritur suksese të prekshme, sa i përket këtyre kritereve dhe besoj se deri në mars do të marrim një vlerësim pozitiv sa i përket këtyre kritereve për nisjen e negociatave për MSA”, thotë Gëzim Kasapolli.

Mirëpo, njohësit e integrimeve evropiane, shprehen skeptik nëse Kosova është në ritmin e duhur dhe po bënë atë që kërkohet nga Komisioni Evropian. Analisti Emrush Ujkani, thotë se që të përmbushen kriteret duhet të ketë një gjithëpërfshirje nga i gjithë spektri politik.

“Jam skeptik rreth kësaj. Realisht mendojë se nëse bëhet një punë sistematike dhe gjithëpërfshirëse, jo vetëm në aspektin deklarativ, por që vërtetë të ketë një përfshirje të të gjithë spektrit politik, natyrisht kjo është një agjendë nacionale, prandaj, duhet të ketë përfshirje të pozitës dhe opozitës”, thotë Emrush Ujkani.

Sidoqoftë, nisja e dialogut teknik vitin e shkuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tash, vazhdimi i dialogut politik ku u përfshinë edhe udhëheqësit më të lartë të Kosovës ka një qëllim. Normalizimin e raporteve me Serbinë, por, ky është dhe kushti kryesorë që të dy vendet të mund të integrohen në strukturat e Bashkimit Evropian./Ineksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›