E Shtunë, 31 Tetor 2026

KGJK-ja dhe KPK-ja në duart e politikës

KGJK-ja dhe KPK-ja duhet të jenë organe tërësisht të pavarura në funksionimin e tyre, ndërkohë që shumica e anëtarëve zgjidhen nga Kuvendi dhe përbërja e KPK-së bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Sipas raportit të Kievit, kur themelohet Këshilli Gjyqësor, anëtarët e tij gjyqtarë do të zgjidhen nga kolegët e tyre dhe do ta përfaqësojnë Gjyqësorin në përgjithësi, duke përfshirë edhe gjyqtarët nga gjykatat e nivelit të parë.

Këshillat gjyqësorë nuk do të dominohen nga gjyqtarët e gjykatave të apelit, kurse kur emërohet kryetari i gjykatës në këshill, ai ose ajo duhet të japë dorëheqjen nga pozita si kryetar i gjykatës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës trumbetohet si një institucion i pavarur, i përbërë nga trembëdhjetë anëtarë, gjyqtarë dhe anëtarë porotë, duke përfshirë edhe dy anëtarë ndërkombëtarë (gjykatës të EULEX-it), të cilët janë gjithashtu pjesë e KGJK-së.

Kjo e fundit është përgjegjëse për menaxhimin dhe administrimin e përgjithshëm të të gjitha gjykatave për hartimin dhe ekzekutimin e buxhetit të Gjyqësorit, si dhe për themelimin e gjykatave të reja dhe të degëve gjyqësore. KGJK-ja shfaqet si një organ tërësisht i pavarur në funksionimin e tij, sipas Kushtetutës dhe ligjit, ndërkohë që shumica e anëtarëve zgjidhen nga Kuvendi shkruan kosova sot.

Vetëm pesë anëtarë të KGJK-së zgjidhen nga Gjyqësori, ndërsa tetë anëtarë të tjerë, që mund të jenë gjyqtarë apo profesionistë ligjorë, që zgjidhen nga Kuvendi, duke e bërë kështu KGJK-në autoritet gjyqësor, të varur nga Kuvendi.

Karta Evropiane mbi Statutin e Gjyqtarëve në nenin 1,3 "parashikon ndërhyrjen e një autoriteti të pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, në të cilin të paktën gjysma e atyre janë gjyqtarë të zgjedhur nga kolegët e tyre, duke ndjekur metoda që garantojnë përfaqësimin më të gjerë të Gjyqësorit”.

Sipas Task-Forcës për Integrim Evropian, pavarësia e Gjyqësorit është e nevojshme dhe kjo reflektohet në vendimin mbi përzgjedhjen, rekrutimin ose emërimin e gjyqtarëve, zhvillimin e karrierave të tyre ose ndërprerjen e funksionit të tyre./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›