E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga fton aktoren Angelina Jolie të vizitojë Kosovën

NEW YORK - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë në hapjen e Samitit të tretë “Women in the World” (Gratë në Botë) të organizuar nga Newsweek dhe The Daily Beast që po mbahet në New York. Me këtë rast Jahjaga takoi ish-sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, drejtoren e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, si dhe ambasadoren e vullnetit të mirë të OKB-së, aktoren Angelina Jolie.

Në samit, ku po marrin pjesë afro 2000 pjesëmarrëse nga gjithë bota, do të diskutohen tema që kanë të bëjnë me sfidat globale të shekullit XXI dhe rolin e gruas në çështjen e sigurisë dhe lidershipit.

Ndërkaq, në darkën solemne të shtruar nga organizatori i Samitit, presidentja Jahjaga u takua edhe me aktoren e njohur amerikane, njëkohësisht ambasadoren e vullnetit të mirë të OKB-së, Angelina Jolie, të cilën e ftoi që ta vizitojë Kosovën për të parë mundësitë e zhvillimit të kinematografisë në vend.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Jahjaga, është liderja e vetme femër nga Ballkani e ftuar në këtë Samit dhe në dy ditët e ardhshme do të flasë në panel për përvojat e saj në lidhje me ndikimin e gruas në sigurinë e vendit.

(er.nu/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›