E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga i kërkon Gjermanisë të rrisë presionin mbi Beogradin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim drejtorin politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Dr. Hans-Dieter Lucas.

Presidentja Jahjaga theksoi rolin shumë të rëndësishëm që ka Gjermania dhe përkrahjen për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe integrimin në familjen evropiane. Ajo theksoi se integrimi i Republikës së Kosovës në BE nuk ka alternativë dhe tha se pret që një të ardhme të afërt pavarësia e Kosovës të njihet edhe nga 5 vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë.
 

Jahjaga përshëndeti vendimin e Bashkimit Evropian që Kosovës edhe zyrtarisht t`i ofrohet udhërrëfyesi për liberalizim të vizave dhe kërkoi nga Lukas që diplomacia gjermane të vazhdojë trysninë ndaj Republikës së Serbisë me qëllim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar dhe ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe për shpërbërjen e strukturave ilegale serbe që veprojnë në tri komunat në veri të vendit, thuhet në kumtesën për medie nga Presidenca.

Drejtori Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Dr. Hans-Dieter Lucas rikonfirmoi mbështetjen dhe përkushtimin e Qeverisë Gjermane për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe integrimin e saj në BE. Ai e siguroi presidenten Jahjaga se Gjermania do të angazhohet që Kosova në procesin e integrimit në BE të ecë krahas vendeve të rajonit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›