Jahjaga kërkon fuqizimin e rolit të gruas

“Një familje e shëndoshë garanton një shoqëri të shëndoshë që i ndërton bazat e një shteti që është në shërbim të qytetarit", tha presidentja e vendit me këtë rast.
Sipas Presidentes Jahjaga, familja ka qenë ajo që e ka mbajtur të gjallë, brez pas brezi, ëndrrën dhe aspiratën tonë për liri dhe pavarësi.
“Ne sot, e gëzojmë Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe të pavarur, të ndërtuar në parimin qytetar, në të cilin të gjithë njerëzit, pa dallim, i gëzojnë liritë dhe të drejtat e barabarta”, tha mes tjerash ajo.
Presidentja Jahjaga po ashtu tha se për të pasur një familje të shëndoshë, duhet të flasim hapur edhe për probleme, duke mbrojtur integritetin e familjes nga të gjitha fenomenet negative.
“Madhështia ndaj problemeve është mënyra e vetme se si mund të ecim përpara dhe të ndryshojmë për të mirë”, tha ajo.
Më tej, presidentja Jahjaga u zotua se institucionet do të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm, që familja jonë, si qelizë themelore e shoqërisë, të mos ndjehet e kërcënuar në asnjë segment të saj.
“Femra është shtylla e familjes dhe duhet të krijohen të gjitha parakushtet që pjesëmarrja e saj të garantohet dhe të sigurohet në të gjitha sferat e jetës dhe punës”, tha Jahjaga. (Kosovapress)