Jahjaga kërkon lirimin e menjëhershëm të arrestuarve

Sipas kumtesës dërguar mediave, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës vlerëson se aksioni ka motive krejtësisht politike dhe synon të shkaktojë pasiguri te popullata shqiptare, duke nxitur shpërnguljen e saj nga trojet e veta, në këtë pjesë të shtetit të Serbisë, dhe duke ia mohuar të drejtat e saj legjitime.
"Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të trajtohen si qytetarë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Serbisë dhe të gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre pa frikë nga përndjekjet policore", thuhet në reagimin e presidentes.
Jahjaga, pos tjerash, i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve serbe që ta zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Konçulit dhe të lirojnë menjëherë të gjithë të arrestuarit.
Presidentja fton shqiptarët e Luginës së Preshevës që duke respektuar ligjet e vendit dhe në harmoni me konventat ndërkombëtare, të marrin pjesë të gjithë në zgjedhjet në komunat e Medvegjes, të Bujanocit dhe të Preshevës dhe të zgjedhin përfaqësuesit e vet legal dhe legjitim, të kenë pushtetin në këto troje, në mënyrë që vet të vendosin për të ardhmen e tyre Në këtë si gjithherë do ta kenë përkrahjen e Republikës së Kosovës dhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare.
Të premten, policia serbe ka arrestuar tetë shqiptarë në Luginën e Preshevës nën dyshimet për, siç është thënë, “krime lufte kundër civilëve”.