Jahjaga merr pjesë në samitin Women in the World
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë në hapjen e Samitit të tretë Women in the World (Gratë në Botë) të organizuar nga Newsweek dhe The Daily Beast që po mbahet në Neë York.
Në samit, ku po marrin pjesë afro 2000 pjesëmarrëse nga gjithë bota, do të diskutohen tema që kanë të bëjnë me sfidat globale të shekullit XXI dhe rolin e gruas në çështjen e sigurisë dhe lidershipit.
Në hapje të Samitit, Presidentja Jahjaga takoi ish-sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, me të cilën bisedoi për çështjet aktuale për Kosovën.
Në darkën solemne të shtruar nga organizatori i Samitit, Presidentja Jahjaga u takua me drejtoren e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, si dhe ambasadorin e Britanisë së Madhe në SHBA, Peter Westmacott.
Ajo gjithashtu takoi edhe aktoren e njohur amerikane dhe njëkohësisht ambasadoren e vullnetit të mirë të OKB-së, Angelina Jolie, të cilën e ftoi që ta vizitojë Kosovën për të parë mundësitë e zhvillimit të kinematografisë në vend.
Në hapje të konferencës, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, duke folur në panelin Çmimi i luftës ndau me të pranishmit përvojën e saj të fëmijërisë si refugjate e Luftës së Dytë Botërore duke e krahasuar atë me eksodin e refugjatëve gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë.
Zonja Albright e cilësoi ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë si të drejtë. Në paraqitjen e saj, Albright e përshëndeti pjesëmarrjen e Presidentes Jahjaga në Konferencë dhe rikujtoi përkushtimin e administratës së ish-Presidentit Klinton për ti dhënë zgjidhjen që i takonte çështjes së Kosovës. / Koha.net