E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga në ceremoninë e varrimit të presidentit çek, Havel

PRISHTINE- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në ceremoninë shtetërore mortore, të organizuar në Katedralen e Shën Vitos në Pragë, për t’i dhënë lamtumirën Presidentit Vaclav Havel, që ndërroi jetë më 18 dhjetor të këtij viti.
Presidentja Jahjaga në ceremoninë mortore i shprehu ngushëllimet bashkëshortes së Presidentit Havel, Dagmar Havlova dhe zyrtarëve më të lartë të Republikës së Çekisë: presidentit Vaclav Klaus, kryeministrit Petr Necas, kryetarit të Senatit, Premysl Sobotka, kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në Parlamentin çek, Miroslava Nemcova dhe ministrit të Jashtëm, Karel Schwarzenberg.
Zyra e shtypit e Presidencës kosovare bën të ditur se në ceremoninë mortore në Katedralen Shën Vito, presidentja e Republikës së Kosovës ishte së bashku me ministrin e jashtëm të Sllovakisë, Mikulas Dzurinza, kryetarin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq, presidenten e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, komisionerin për zgjerim të BE-së, Stefan Fuele, presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk dhe kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Në ceremoninë mortore, për t’i dhënë lamtumirën Presidentit Havel, kanë marrë pjesë dhjetëra delegacione nga e gjithë bota, në mesin e të cilëve 20 presidentë të vendeve të ndryshme, si dhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, me bashkëshortin e saj ish-Presidentin Bill Clinton dhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi Havelin, si mik të madh të Kosovës dhe ka thënë se vdekja e tij është një humbje e madhe për popullin dhe shtetin çek, por edhe për gjithë popujt liridashës në botë.
Vaclav Havel ishte mik dhe përkrahës shumë i madh i Kosovës. Për këtë ai u nderua me dekoratën e lartë “Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova”.
Në muajin tetor, Presidentja Jahjaga ishte në Pragë, ku mori pjesë në punimet e Konferencës së 15-të të “Forumit 2000”, me ftesën e Vaclav Havel, i cili mirëpriti dhe vlerësoi lart pjesëmarrjen në konferencë të presidentes së shtetit më të ri në Evropë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›