Halimi: Të dalin para drejtësisë gjyqtarët dhe prokurorët – materialet i janë shpërndarë Presidentit dhe Kryeprokurores

Ministria e Drejtësisë bën publike rezultatet e inspektimit për rastin e procedimit penal të Konstandin Xhuvanit
Dënimi me 2 vjet burg i djalit të deputetes së PS-së Luiza Xhuvanit është konsideruar nga Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi si i papranueshëm dhe politikë penale selektive. Kostandin Xhuvani pak kohë më parë u dënua vetëm me 2 vite burg për vrasjen e 26-vjeçarit Alfred Musabelli në “Qytetin Studenti” në Tiranë. Ministri i Drejtësisë kishte kërkuar inspektimin e çështjes për politikën penale të ndjekur si dhe politikën e dënimit të Xhuvanit. Rezultatet e inspektimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë i janë vënë në dispozicion Presidentit të Republikës dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas ministrit Halimi, dënimi me 2 vjet i Xhuvanit është i papranueshëm ndaj dhe ka kërkuar procedim disiplinor për prokurorin e çështjes dhe Kryeprokurorit të Tiranës. Në letrën e drejtuar Ina Ramës, ministri Halimi i kërkon kryeprokurores të ushtrojë detyrën kushtetuese për mbrojtjen e jetës dhe dënimin e agresorëve pasi politika penale është detyrë kushtetuese e prokurorisë. Ndërkaq, Halimi në letrën e drejtuar presidentit Topi thekson se detyra e këtij të fundit është me rëndësi të jashtëzakonshme dhe me autoritetin e mjaftueshëm për të vënë përpara përgjegjësisë prokurorët që abuzojnë me ligjin në masë të tillë që godasin në mënyrë agresive e të drejtpërdrejtë jo vetëm sigurinë publike të qytetarëve, por edhe integritetin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë i ka dërguar raportin edhe gjyqtarit të çështjes, duke i dhënë të drejtën të paraqesë pretendimet e tij lidhur me konstatimet procedurale të gjetura gjatë procesit gjyqësor.
Në letrën e tij, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi thekson se siguria publike dhe jeta e qytetarëve janë absolutisht parimet më të rëndësishme të cilat duhet të sigurojnë sundimin e ligjit në vend. Barazia e njëjtë para ligjit për të gjitha subjektet, dhe ndjekja e së njëjtës politikë penale, janë parime fondamentale te parashikuara shprehimisht si themele të Kushtetutës. Ministri i Drejtësisë mban në konsideratë faktin që kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës ndonëse nuk mund të ndikojnë në ndryshimin e vendimeve të dhëna nga sistemi i drejtësisë janë me rëndësi të jashtëzakonshme, parësore dhe me autoritetin e mjaftueshëm për të vënë përpara përgjegjësisë prokurorët që abuzojnë me ligjin në masë të tillë që godasin në mënyrë agresive dhe të drejtpërdrejtë sigurinë publike të qytetarëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi.
Në letrën e tij dërguar Prokurores së Përgjithshme, ministri thekson “se mbrojta e jetës së individit ashtu siç parashikon neni 21 i Kushtetutës, është detyrë themelore e të gjithëve, veçanërisht e autoriteteve publike dhe kërkon domosdoshmërisht sigurinë publike për qytetarët e këtij vendi”. “Siguria publike cenohet rëndë në rast se politika penale ndaj agresoreve të jetës së qytetarëve ushtrohet në mënyrë selektive nga Prokuroria, të cilës Kushtetuta në nenin 148 ia ka besuar këtë funksion për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimit të akuzës në gjykim. Një politikë penale që kërkon vetëm 2 vjet burgim, ndaj agresorëve të jetës së qytetarëve është e papranueshme.
Ministri në mbështetje të nenit 35 të ligjit 9877 datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe nenit 31 të ligjit nr. 8811, datë 17.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, të ndryshuar, i ka dërguar raportin edhe gjyqtarit të çështjes , duke i dhënë të drejtën të paraqesë pretendimet e tij lidhur me konstatimet procedurale të gjetura gjatë procesit gjyqësor, duke mbajtur parasysh modelin e sistemit gjyqësor ekzistues në Shqipëri si dhe tagrin e plotë të Prokurorisë si përfaqësuese e akuzës penale dhe politikes penale në emër të shtetit sipas nenin 148 të Kushtetutës.
...