Jahjaga nuk është më konsensuale

12 vjetori i PDK-së
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me fjalimin e saj në dymbëdhjetë vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës duket se ka shembur statujën e një presidenteje konsensuale. Gjatë fjalimit të saj para anëtarëve të PDK-së, Jahjaga ka thurur lavde për partinë e kryeministrit Hashim Thaçi.
“Partia Demokratike e Kosovës gjatë këtyre viteve në liri, si subjekt politik, por edhe me veprimtarinë e anëtarëve dhe të udhëheqjes së saj më herët, ka kontribuuar në ndërtimin e demokracisë dhe të pluralizmit, në organizimin e strukturave shtetërore dhe të mekanizmave të kundërvënies dhe të luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Si një nga faktorët vendimtarë, ajo ishte përherë me popullin dhe me synimet e tij për të jetuar i lirë dhe sovran në trojet e veta është shprehur Jahjaga.
Gjatë fjalimit të mbajtur Jahjaga përdori edhe moton e fushatës së PDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ideja e organizimit në parimin Së pari Kosova bëri që kjo parti të zgjerohet dhe të bëjë ndryshimet krahas kërkesave bashkëkohore, duke u transformuar dhe duke u përshtatur, tha presidentja e Kosovës.
Ky fjalim i presidentes ka bërë që partitë e tjera të reagojnë ashpër ndaj saj madje shumë prej tyre kanë ironizuar duke thënë se ndoshta ajo ka ngatërruar fjalimin me atë të Thaçit.