Jahjaga takoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon

Ban shpreh shqetësim për situatën në Veri
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të bashkuara, Ban Ki-mun, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës dhe ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet nëpërmjet një dialogu paqësor.
Këto komente Ban i ka bërë në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë një takimi të shkurtër me gazetarët.
Ai ka nënvizuar se duhet ndërmarrë hapa për arritjen e një respekti të ndërsjellë në rajon, duke e vlerësuar një gjë të këtillë si shumë të rëndësishme.
Sekretari i përgjithshëm ka ftuar të gjitha palët gjithashtu që të intensifikojnë punën e tyre në çështjen e personave të zhdukur, ndërkaq ka nënvizuar se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm.
Ban ka shfrytëzuar këtë paraqitje para mediave në Prishtinë, për të shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e poetit me renome ndërkombëtare, Ali Podrimja, trupi i pajetë i të cilit u gjet në Francë të shtunën më 21 korrik.
Ban takohet me presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi, dhe natyrisht me përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, përfshirë këtu edhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.
Në orët e pasdites ai pritet të vizitojë edhe manastirin e Deçanit dhe të Prizrenit, për t’i dhënë kështu fund vizitës në Kosovë dhe për të vazhduar tutje për në Maqedoni.
Duke qenë se deri më tash gjatë turneut të tij ballkanik, Ban ka qenë fjalëpak, edhe vlerësimet dhe pritjet nga kjo vizitë kanë qenë relativisht të kufizuara. Kjo mbase ka lënë hapësirë edhe për interpretime nga më të ndryshmet për analistët dhe komentatorët e mediave.
Në rastin e Kosovës, disa nga njohësit e rrethanave politike pohojnë se vizita e tij është më shumë simbolike dhe rrjedhimisht, nuk mund të pritet ndonjë risi nga kjo vizitë. Kjo, sipas tyre, për faktin se edhe vetë misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka një rol simbolik, që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Megjithatë, ka edhe komente që flasin se Ban mund të ketë ngritur çështjen e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke qenë se ishte pikërisht një rezolutë e miratuar në shtator të 2010-ës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke i dhënë mbështetje Bashkimit Evropian të ndërmjetësojë në bisedimet midis të dyja vendeve.
Në cilindo rast, posti që Ban mban si sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, megjithatë i jep kësaj vizite një rëndësi të veçantë, gjykuar edhe nga numri i jashtëzakonshëm i mediave që po ndjekin çdo hap të sekretarit të përgjithshëm.(REL)
Ban zbret në Kosovë
Ban ki Mun këto qaste ka mbërritur në aeroportin ndërkombëtarë “Adem Jashari” të Prishtinës.
Pas pak çastesh pritet të prononcohet për media.
VV: UNMIK, UN FAIR
Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sot rreth orës 11:00, shkruan parullën UNFAIR në hyrje të ndërtesës së UNMIK-ut në zonën industriale në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë.
“Me të filluar shkrimin e parullës, pa kurrfarë paralajmërimi dhe me gjithë faktin që dukej qartë që aktivistët thjeshtë do të shkruajnë një parullë, policët e Kosovës intervenuan në mënyrë të shfrenuar ndaj aktivistëve. Ata hodhën spray lotsjellës në mënyrë të pakontrolluar, goditën aktivistët me grushta dhe ofendonin pandërprerë”, thuhet në një komunikatë të lëvizjes Vetëvendosjes. Sipas saj, edhe pasi aktivistët e shkruan parullën, policia insistonte në të njëjtën mënyrë t’i arrestonte ata.
“Gjatë këtij intervenimi, shumica e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s u lënduan nga sprey lotsjellës, ndërsa aktivisten Krenare Krasniqi e përplasën për tokë duke ia lënduar kokën”, thuhet në komunikatë.
I pret në Aeroport
Ban Ki-Moon nuk do të shkelë sot në institucionet shtetërore të Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së do t’i takojë krerët institucionalë në Aeroportin e Prishtinës. Më pas, do të mbajë një konferencë për media, ku nuk lejohen pyetjet si dhe do ta vizitojë UNMIK’un, Deçanin dhe Prizrenin.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, në kuadër të turneut të tij në Ballkan, sot do të vizitojë Kosovën.
Pak para mesditës, ai pritet të aterojë në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë. Por, nga aty nuk do t’ia mësyjë selive të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.
Një zyrtar për informim i UNMIK’ut i ka thënë gazetës Express se Sekretari Ban Ki-Moon do t’i takojë liderët institucionalë në ambientet e Aeroportit të Prishtinës.
“Për shkak të agjendës së ngjeshur, Sekretari do ta takojë Presidenten Atifete Jahjaga dhe Kryeministrin Hashim Thaçi në Aeroport”, ka thënë ai.
Më pas, po aty, Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së do ta mbajë edhe një konferencë për media. Mirëpo, gazetarët nuk do të lejohen t’i parashtrojnë pyetje.
Më pas, Sekretari Ban Ki-Moon do ta vizitojë Deçanin dhe Prizrenin.
“Po ashtu, parashihet edhe një takim me stafin e UNMIK’ut”, ka thënë një zëdhënës i këtij misioni, të hënën.
Por, ai ka shtuar se kjo agjendë nuk është finale.
Ndërkohë, të hënën, Sekretari Ban Ki-Moon ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve, “Presheve Jonë”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së, Ban Ki-Moon ka deklaruar se Veriu i Mitrovicës është një preokupim i madh i OKB’së dhe përbën një nga sfidat më të ndjeshme, me të cilat përballet sot komuniteti ndërkombëtar në Kosovë.
Sipas tij, çështja e Veriut është një konflikt shumëvjeçar, çështje politike historike, por ata duhet të diskutohen nëpërmjet dialogut.
Ban Ki-Moon ka ftuar Serbinë dhe Kosovën, që ta zgjidhin mospajtimin kufitar dhe ka theksuar se kufijtë e bllokuar janë të papranueshëm.
Ndërkaq, duke folur për akuzat e Dick Martyt për trafikim organesh, Ban ka shprehur mbështetjen për hetim të plotë, të paanshëm dhe të pavarur në akuzat e rënda e trajtimit çnjerëzor të njerëzve dhe trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore të përfshira në këtë raport.