E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga uron besimtarët me rastin e Festës së Pashkëve

Me rastin e Festës së Pashkëve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka uruar Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, si dhe të gjithë besimtarët katolikë.

Në urim thuhet:

I nderuar Ipeshkv,
Të nderuar besimtarë,

Më lejoni që, me rastin e Festës së Pashkëve, t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta. Lutem që kjo festë e madhe t’ju gjejë me shëndet të mirë, me gëzime e begati, mes më të dashurve tuaj.

Dita e Pashkëve është dita e shenjtë e ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe e ripërtëritjes së besimit te Zoti. Ditë e shpresës, e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, ditë e paqes, e dashurisë, e njohjes dhe përqafimit të vlerave njerëzore. Ndaj, le të shërbejë kjo ditë për të menduar e për të përmirësuar veten tonë.

Në këtë ditë, le të përkujtojmë sakrificat dhe vlerat e njerëzve që nuk janë në mesin tonë, le të shtojmë respektin për njerëzit me të cilët jetojmë dhe le të ndërtojmë bashkërisht një të ardhme më të mirë.

Dita e Pashkëve le të na shërbejë për të treguar shpirtin tonë human, për t’iu dalë në ndihmë gjithë njerëzve që kanë nevojë për dorën e ndihmës, për të rritur e forcuar besimin në njëri-tjetrin.

Uroj që, në këtë ditë të gëzuar, paqja, dashuria dhe mirëkuptimi të mbretërojnë mes qytetarëve të vendit tonë dhe në gjithë botën.

Gëzuar për shumë vjet!/Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›