Kthimi në pronat e tyre, në interes të të gjithëve

Kryeministri Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, ka vizituar të premten qytetin e Mitrovicës, për të parë më afër projektet infrastrukturore që janë duke u realizuar në këtë qytet.
Fillimisht, kryeministri vizitoi impiantin e Fabrikës për përpunimin e ujit në Shipol, një investim prej mbi 10 milionë eurove, ndërsa më pas u ndal për të shikuar punimet në objektin e palestrës së re sportive “Minatori” dhe Qendrës së Re Tregtare, projekti i të cilave arrin shifrën e 24 milionë eurove, si dhe fillimin e ndërtimit të objektit për Universitetin Publik të Mitrovicës.
Ëndrra e qytetarëve të Mitrovicës ka filluar të realizohet me ndërtimin e këtij universiteti, që do të ketë kapacitet për rreth 9 mijë studentë, tha kryeministri Thaçi me këtë rast.
“Do të jetë një universitet bashkëkohor, me të gjitha kuadrat e nevojshme akademike” shtoi ai.
Në Mitrovicë po vazhdojnë punimet edhe në renovimin e Stadiumit Olimpik të Mitrovicës, projekt ky që u vlerësua shumë i domosdoshëm për të ardhmen, kur edhe Kosova do të mund të bëhet pjesë e garave ndërkombëtare.
Vizita në Mitrovicë u përmbyll në lagjen Kroi i Vitakut, ku u vizitua shtëpia e rinovuar dhe galeria brenda shtëpisë së Ali Kadriut.
“Ne vizituam një galeri, që është galeri e pronarit, por është mesazh i jetës së re, i frymës së re, është mesazh i shpresës, i besimit dhe i kthesave që po ndodhin këtu”, tha Thaçi.
“Është në interesin e të gjithëve që të gjithë qytetarët e të gjitha nacionaliteteve të kenë të drejtë të kthehen në pronat e tyre, në shtëpitë e tyre, dhe Qeveria e Kosovës do të jetë në shërbim pa dallim të gjithë qytetarëve, shqiptarë, serbë dhe të tjerëve që jetojnë në veri dhe jug”, potencoi kryeministri.
Kreu i Mitrovicës, Avni Kastrati falënderoi kryeministrin për vizitën dhe për mbështetjen, duke theksuar se të gjitha premtimet e dhëna tashmë janë bërë të realizueshme. Ndërsa, Ali Kadriu kërkoi që amanetin e dëshmorëve ta plotësojmë me punë. “Më keni bërë nder të madh. Ne të gjallët kemi obligim moral që amanetin e dëshmorëve, të njerëzve që kanë rënë për këtë tokë, t’i plotësojmë me punë, me vepra”, tha Kadriu./Indeksonline/