Jahjaga vlerësoi ndihmën e Japonisë dhënë Kosovës

Presidentja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ambasadorin e Japonisë në Vjenë, jorezident për Kosovën, Shigeo Iwatani dhe përfaqësuesin e Asociacionit “Guri për Paqe”, Michio Umemoto.
Presidentja Jahjaga dhe ambasadori Iwatani biseduan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.
Presidentja Jahjaga falënderoi ambasadorin japonez për përkrahjen e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës.
Ajo tha se populli i Kosovës e konsideron Japoninë si një mike të madhe, duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fushat me interes reciprok.
Presidentja Jahjaga gjithashtu përgëzoi përfaqësuesit e Asociacionit “Guri për Paqe” për nismën e tyre për ta sjellë Gurin e Paqes edhe në Kosovë.
Ambasadori i Japonisë, Shigeo Iwatani, tha se vizita e tij në Kosovë është mundësi e mirë për të dëshmuar për zhvillimet pozitive në vend.
Ai theksoi se vizita e tij do të shërbejë gjithashtu për t’i avancuar këto zhvillime pozitive dhe më tej nëpërmjet thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve tona në fushën e ekonomisë dhe në fusha të tjera me rëndësi.
Përfaqësuesi i Asociacionit “Guri për Paqe”, Michio Umemoto shprehu kënaqësinë e dhurimit të Gurit për Paqe në Kosovë. Ai tha se janë të impresionuar me fuqinë e popullit të Kosovës për ta rindërtuar vendin, që dëshmon për një proces të suksesshëm të zhvillimit të Kosovës, thuhet në njoftimin për media./Indeksonline/