Spitali Rajonal i Mitrovicës në krizë

Spitali Rajonal i Mitrovicës “Sami Haxhibeqiri”, tash e disa javë po përballet me probleme të ndryshme.
Megjithëse Ministria e Shëndetësisë me anë të konkursit, pretendonte një ndryshim stafi, një gjë e tillë dështoi.
Gjatë kësaj periudhe, qytetarët e rajonit të Mitrovicës, janë përballur me vështirësi të ndryshme, sa i’u përket shërbimeve shëndetësore.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë për Indeksonline se problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët e këtij rajoni janë të kahershme, dhe se nuk kanë të bëjnë me konkursin.
“Qytetarët kanë pasur vështirësi me marrjen e disa shërbimeve, për çka MInistria ka bërë një organizim të ekipeve nga QKUK dhe spitalet rajonale që të ndihmohet me shërbime sidomos nga fusha e kirurgjisë dhe anesteziologjisë, por ato nuk janë të lidhura me faktin e dorëheqjes së ish-drejtorit, por janë probleme të vjetra, të cilave ka filluar t'u bëhet zgjidhje si me rritjen e numrit të punonjësve shëndetësor, ashtu edhe me sigurimin e atyre shërbimeve që kanë qenë deficitare”, ka thënë Hoti për Indeksonline.
Megjithkëtë, nuk dihet se kur saktësisht do të hapet një konkurs i ri për plotësimin e personelit të këtij spitali.
Sipas Hotit, konkursi do të shpallet pas formimit të Bordit udhëheqës të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
“ Tash do të formohet Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, i cili do t'i integrojë spitalet rajonale me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës brenda këtij shërbimi. Pra, konkursi për drejtorë të klinikave të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, përfshirë edhe Spitalin Rajonal të Mitrovicës, që janë me ushtrues detyre do të shpallet pas formimit të Bordit udhëheqës të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, të cilin do ta bëjë Qeveria e Kosovës, me propozim të MInistrit të Shëndetësisë”, ka theksuar Hoti.
Gjatë konkursit, jozyrtarisht u përmenden disa keqpërdorime dhe disa ndërhyrje partiake.
Drejtori i spitalit Agim Peci, sic pati thënë ai, pati dhënë dorëheqje, për arsye personale, nga ana tjetër edhe anëtarët e komisionit, patën deklaruar se dorëheqja e tyre ka qenë për arsye personale.
Ndryshe, në konkursin që ishte shpallur nga spitali rajonal në Mitrovicë më 20 dhjetor të vitit të kaluar për pranimin e rreth 100 punëtorëve të profileve të ndryshme (mjekë, infermiere, staf administrativ, punëtorë sigurimi, kuzhinierë dhe pastrues) kishin aplikuar më shumë se 4 mijë persona./Indeksonline/