E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuna futet në borxh edhe me punëtorët e vetë

Komuna e Prizrenit është futur në borxh edhe me punëtorët e vetë. Ajo nuk ua ka paguar punëtorëve për disa muaj të vitit të kaluar, punën jashtë orarit të rregullt. Punëtorët, ndërkaq janë të revoltuar me këtë veprim të Komunës. Ata kanë kërcënuar përgjegjësitë e Administratës së Komunës se nuk do të punojnë jashtë orarit nëse nuk ju kompenzohet ashtu siç e përcakton edhe ligji i punës.

”Nuk na kanë pagur për disa muaj punën që kemi bërë jashtë orarit të rregullt gjatë vitit të kaluar”, tregon një punëtor me kusht anonimiteti për “PrizrenPress”.

Ai thotë se pas revoltimit të punëtorëve, Komuna nga fillimi i këtij viti ka filluar të paguajë punën jashtë orarit të punës, mirëpo jo edhe borxhin e vitit të kaluar. “ Prej Vitit të ri kanë filluar të na paguajnë, por na kanë mbetur borxh për vitin e kaluar. As përgjigjeje nuk na kanë dhënë se kur do të na paguajnë”, tregon ai.

Ai thotë se përveç që është e kundërligjshme, mospagesa e punës jashtë orarit të rregullt është edhe e pandershme. “Ka raste kur punëtorët nuk e dinë se kur kanë pushim. Ata ka raste që punojnë edhe të dielave”, shprehet ai.

Sipas tij, punëtorët janë në pritje të një përgjigje nga Administrata e Komunës. “Ne ende jemi duke pritur dhe shpresuar se do të na paguajnë borxhin e vitit të kaluar. Nëse nuk na paguajnë, atëherë jemi të detyruar të marrim masa të tjera “.

Zëdhënësi i KK-së në Prizren, Ymeri Berisha tha ndërkaq se nuk është në dijeni për këtë mospagesë të punës jashtë orarit të punëtorëve. ”Nuk jam i informuar për një gjë të tillë”, shprehet shkurt Berisha. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›