Jahjaga¨Britania ka bërë përpjekje të mëdha që ta fitojmë lirinë

Në Prishtinë sonte u mbajt një solemnitet me rastin e ditëlindjes së shkëlqesisë së saj, Mbretëreshës Elizabeth, ku ishin tubuar personalitete të rëndësishme të vbendit, në mesin e të cilëve edhe presidentja Atifete Jahjaga, dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi .
“Është nder i veçantë të mblidhemi në Republikën e Kosovës për të festuar ditëlindjen e Shkëlqesisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth”, tha në fillim të fjalës së saj Jahjaga, për të shtuar se kjo ditëlindje, pos simbolikës, paraqet edhe moment krenarie për Britaninë e Madhe.
“Kjo ditëlindje na mundëson njëkohësisht të reflektojmë mbi miqësinë dhe partneritetin mes Britanisë së Madhe dhe Republikës së Kosovës, një marrëdhënie e çmuar e kalitur gjatë një beteje të gjatë për mbijetesë dhe liri të popullit tim dhe e forcuar shumë në procesin e ndërtimit të paqes dhe të shtetit tonë.
Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet përkrahëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës, shtetësisë sonë, sovranitetit e integritetit territorial dhe e konsolidimit tonë në arenën ndërkombëtare. Krahas aleatëve tanë të tjerë, Britania ka bërë përpjekje të mëdha diplomatike dhe ushtarake të na ndihmojë ta fitojmë lirinë tonë”, tha presidentja e Kosovës.
Ajo pastaj kujtoi se qytetarët e vendit tonë kurrë nuk do ta harrojnë fjalimin e kryeministrit Blair në Chicago, kur po i apelonte bashkësisë ndërkombëtare të mos reshtte derisa të fitonte paqen për njerëzit e Kosovës. “Kurrë nuk do ta harrojmë zbarkimin e ushtarëve britanikë me bereta të kuqe, të cilët po hapnin rrugë që qindra mijëra refugjatëve t’iu mundësohej kthimi nëpër shtëpitë e tyre. Ata dhe mijëra ushtarë tjerë britanikë që kaluan nëpër vendin tonë do të jenë përjetësisht pjesë e pandashme e historisë së Kosovës së re”.
Duke iu drejtuar ambasadorit britanik, Ian Cliff, Jahjaga tha se Kosova llogarit në përkrahjen e vazhdueshme britanike “për të na ndihmuar t’ia zbulojmë botës Kosovën e re, për ta treguar rrëfimin e thesarit dhe traditave të pasura që i ka vendi ynë, të tregojmë se një vend i dërmuar nga lufta po i hap rrugë një të ardhmeje paqësore dhe të qëndrueshme. Ne llogarisim në mbështetjen tuaj tani kur po i ndërmarrim reformat e nevojshme për të përshpejtuar integrimin tonë në BE dhe në NATO, qëllim ky që na bashkon të gjithëve dhe që nuk ka alternativë”./Indeksonline/