Jahmir Hyka betonohet te Mainc 05Menaxheri Kristian Haidel sqaron më shumë situatën: “Hyka është një alternativë më shumë për ne”.

Jahmir Hyka nuk do të lëvizë nga Mainc 05 në merkaton e janarit. Futbollisti i Kombëtares shqiptare nuk do të huazohet në asnjë ekip dhe do të jetë pjesë e klubit të Bundesligës 2. Sipas asaj që shkruan gazeta gjermane “Allgemaine Zeitung”, kjo përkon edhe dëshirën e 20-vjeçarit.
“Unë i njoh tashmë konkurrentët. Besoj se tashmë mund të luaj”, - tha ish-futbollisti i Tiranës për gazetën gjermane gjatë një turneu në sallë. Autori i golit më të shpejtë me Kombëtaren shqiptare (në fitoren 2-0 kundër Lihteshtejnit) beson se tashmë vështirësitë e fillimit i ka hedhur pas.
Hyka u aktivizua vetëm tre ndeshje në takimet e fazës së parë. “Unë mbeta shumë i zhgënjyer në lidhje me mungesën e ndeshjeve. Kjo edhe për faktin e një dëmtimi gjatë ndeshjes kundër Hungarisë me Kombëtaren”, - thotë “kleine Techniker” (tekniku i vogël) për median e njohur gjermane. “Tani unë di se çfarë më pret dhe jam i plotësisht i gatshëm në kondicionin fizik”.
Por, Hyka e di gjithashtu se për këtë vendos trajneri. “Vendos ai nëse unë do të luaj apo jo. Nga ana tjetër është e qartë, që unë jam një i ri, që duhet të luaj, nëse dua të zhvillohem më tej”.
Hyka së bashku me menaxherin e tij (Sokol Haxhia) bisedoi me menaxherin Kristian Hajdel dhe trajnerin Jorn Andersen për një huazim gjashtë mujor te një klub tjetër, por gjithnjë brenda Gjermanisë.
“Të shkoja sërish në një vend nuk do të përmbushte asnjë qëllim të mëtejshëm timin”, - thotë Hyka. Para fillimit të sezonit për të interesoheshin dy ekipe konkurrente të Maincit në Bundesligën 2, Freiburg dhe TSV 1860 München, por të dyja klubet nuk kishin paratë e nevojshme për të blerë kartonin e shqiptarit.
“Bundesliga 2 është objektivi im. Më pas të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme”, - shprehet Jahmiri, i cili më parë ka qenë edhe pjesë e Rozenborgut në Norvegji dhe Olimpiakosit në Greqi. Në Ligën e Tretë gjermane si një lojtar ekstra-komunitar Hyka nuk lejohet të luajë. “Der Dribbler” (dribluesi) do të niset në Andaluzi të Spanjës për të marrë pjesë në fazën përgatitore të Maincit.
Menaxheri Kristian Haidel sqaron më shumë situatën: “Klubi nuk vendos në këtë rast asgjë. Ne nuk jemi duke kërkuar një ekip për të. Në asnjë mënyrë. Hyka vendos vetë për të ardhmen e tij. Dhe kur ai thotë se e pranon luftën e konkurrencën në fushë, kjo është një zgjedhje e duhur”. Menaxheri më pas vë vulën: “Hyka është një alternativë më shumë për ne”.
E Hene, 05 Janar 2009