Jahmir Hyka, lind opsioni Palermo“Zamparinit, i mësuar me lojtarët e rinj shqiptarë i lindi dhe ideja për t’i kërkuar Maincit këmbimin me, një lojtar 27-vjeçar, Ciaramitaron që luante prej gjashtë vjetësh te Palermo"

Jahmir Hyka mund të jetë shumë shpejt pjesë e “kolonisë shqiptare” te Palermo, atje ku luan edhe portieri i Kombëtares shqiptare, Samir Ujkani, por që zotëron edhe kartonët e Brian Filipit e Edgar Canit. Lajmin për Albania-sport.com e dha menaxheri i “Maradonës së Ballkanit”, agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia.
“Para tri ditësh isha një takim pune me presidentin e Palermos, Mauro Zamparini, për të diskutuar rreth së ardhmes së Brian Filipit, pasi Palermo zotëron gjysmën e kartonit të tij, pavarësisht se e ka huazuar atë te Ravena. Zamparini kishte ndjekur në televizion ndeshjen Shqipëri-Milan, dhe i kishte bërë përshtypje pikërisht lojtari që dha asistin e golit të tretë të Shqipërisë, - tha Haxhia përmes linjës telefonike.
“I thashë se quhej Jahmir Hyka, luan në Gjermani me Mainc 05, por nuk kishte gjetur pak hapësirë atje, por nga ana tjetër është një lojtar i menaxhuar prej meje.
“Zamparinit, i mësuar me lojtarët e rinj shqiptarë i lindi dhe ideja për t’i kërkuar Maincit këmbimin me, një lojtar 27-vjeçar, Ciaramitaron që luante prej gjashtë vjetësh te Palermo. Isha në Gjermani te Mainc 05, për të biseduar nga afër me menaxherin Stefan Hejdrish, për të gjetur edhe një zgjidhje për të dyja palët.
“Parimisht, ramë dakord, pavarësisht se atij fillimisht nuk i pëlqeu të bënte këmbimin, pasi Hykën atje e shohin si një lojtar të së ardhmes, e për të cilin kanë investuar shumë. Gjithsesi, edhe një skuadër zvicerane që merr pjesë këtë sezon në Ligën e Europës, interesohet për shërbimet e Hykës, por që Mainci kërkon që të jetë ajo që do t’i paguajë rrogën Hykës, që në fakt konsiderohet e lartë prej tyre, pasi Jahmiri paguhet te Mainci në një shumë goxha të konsiderueshme për moshën e tij”.
BOGDANI – Erjon Bogdani mund të largohet nga Kievo, dhe sinjalet e para vijnë nga Spanja. “Për Bogdanin ka disa oferta nga Spanja. Do të udhëtoj të dielën aty, ku do të diskutoj me dy-tri klube, ku midis tyre është dhe Espanjoli, një skuadër që e ka kërkuar edhe më parë”, -theksoi Haxhia.
LIKA- Në fokusin e Haxhisë ka qenë edhe mesfushori i Kombëtares, Gilman Lika, i cili luan në radhët e Haxhitepesë në Turqi. “Një opsion për të ishte Genclerbirligi, por për Likën ka edhe një ofertë e kënaqshme nga Azerbajxhani. Të mos harrojmë se atje luan edhe Admir Teli”, - tha Haxhia.
UKRAINA – Tre lojtarët titullarë të Tiranës, Andi Lila, Migen Memelli e Ansi Agolli, mund të luajnë në kampionatin ukrainas, atje ku luajnë edhe Dorian Bylykbashi, Ervin Bulku e Isli Hidi. “Oferta për ta kanë mbërritur në zyrën time dhe pas përfundimit të ndeshjeve me Kombëtaren do të flasim hollësisht me lojtarët e me drejtuesit e disa klubeve në Ukrainë”, - përfundoi Haxhia.
E Premte, 05 Qershor 2009