Jaka: Të shtyhet për 6 muaj afati për amnistinë fiskale
Sipërmarrësit shqiptarë kërkojnë shtyrjen edhe për 6 muaj të afatit për amnistinë fiskale. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka ka deklaruar sot se përmes një kërkese drejtuar kryeministrit, ministrit të financave dhe ministrit të ekonomisë, sipërmarrësit kanë kërkuar që të shtyhet afati për amnistinë fiskale në mënyrë që ata të bëhen pjesë e këtij procesi.
“Shtyrja e afatit duhet të bëhet nisur kjo edhe nga neglizhenca e sipërmarrjeve pasi ka pasur një reagim të vonshëm të tyre pasi vetë amnistia në momentin kur u miratua ishte e çorientuar” ka theksuar Jaka.
Ai gjithashtu ka ngritur shqetësimin se disa nene të ligjit kanë probleme të cilat janë bërë me dije nga sipërmarrësit ndërsa shprehur keqardhjen që propozimet e biznesit për amnistinë fiskale nuk janë marrë parasysh gjë që ka çuar që ky proces të mos ketë suksesin e dëshiruar.
“Shpresojmë që kërkesa e sipërmarrësve të merret parasysh. Shtyrja e afatit të amnistisë fiskale duke marrë pjesë edhe ministria e financave por edhe organizatave të biznesit për të qënë më aktive do të sjellë që ky proces të ketë sukses” ka shtuar Jaka.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Jaka ka falenderuar edhe RTV “Ora News” për reagimin dhe mbrojtjen që po i bën sot sipërmarrjes shqiptare.
Ndërkohë disa ditë më parë ministri i Financave Ridvan Bode pranoi se me amnistinë fiskale nuk u arritën synimet ndërsa shtoi se qëndrimi i opozitës u bë pengesa kryesore.