E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-artistëve:Kontribuoni për 100-vjetorin e pavarësisë

Kryeministri Berisha u ka bërë thirrje artistëve shqiptarë që të angazhohen për përgatitjet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Duke folur në ceremoninë e organizuar me rastin e 45-vjetorit të akademisë së arteve, kryeministri Berisha gjithashtu i bëri thirrje qeverisë vendore të bashkëpunojë me universitetin e arteve për t`iu dhënë pamjen që meritojnë qyteteve të tyre.
 

“Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do t`iu bëja thirrje ju artistëve, le të bëjmë gjithçka për t`i derdhur ne ndjenjat tona më të mira në vepra gjatë këtij viti. Si dhe qeverisë vendore të vendosë një bashkëpunim me universitetin e arteve sepse këtu ka talente që mund të shndërrojnë qytetet tuaja. Me shumë pak përpjekje ne u japim qyteteve pamjen që meritojmë, qytetarëve të tyre respektin dhe dinjitetin që ata meritojnë nëpërmjet veprave të artistëve shqiptarë” ka theksuar Berisha.

Ndërsa ka vlerësuar rolin e artistëve për shpalosjen e vlerave të identitetit kombëtar, Berisha theksoi se artistët kanë bërë të ndjehet krenar çdo shqiptar.

“Ju jeni pjesë e krenarisë kombëtare, me asgjë nuk krenohen qytetarët e këtij vendi më shumë se artistët e vet. Kjo nuk është e rastit, tek ata ekziston vetëdija se jeta merr ngjyrat nga ju. Me veprat tuaja ju i jepni asaj të gjitha koloritet që e bëjnë atë të bukur. Asgjë nuk lidhet me shumë se puna juaj më atë që është thelbi i një kombi, me identitetin e tij. Në këto 45 vite Universiteti juaj ka nxjerrë kollosë të mëdhenj në të gjitha artet. Këto 20 vite  nuk keni pasur përkrahje të madhe, por prapë ju ai keni dalë të përfaqësoni shpirtin dhe artin e këtij vendi”, theksoi Berisha.

Ai u shpreh se përkrahja e qeverisë nuk do të mungojë për universitetin e artit dhe për gjithë artistët që kanë shkëlqyer në vendet e huaja.

Kryeministri Berisha ka shfrytëzuar ceremoninë e 45-vjetorit të krijimit të akademisë së arteve për të përshëndetur të gjithë shqiptarët me rastin e 1-vjetorit të lëvizjes pa viza.
 

“Si sot një vit më parë ne këvizëm të lirë pa viza dhe kjo përbën një arritje të madhe për vendin prandaj shfytësoj rastin të shprehë mirënjohjen për partnerët ndërkombëtar që morën këtë vendim për heqjen e vizave për shqiptarët dhë dëshminë dhe seriozitetin e autoriteve shqiptare për respektuar këtë vendim” ka theksuar më tej Berisha.
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›