Itali, humbet jetën 18-vjeçari shqiptar gjatë një aksidenti automobilistik
Një 18-vjeçar shqiptar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në Itali. Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së djeshme, në komunën e Trevizos. Sipas policisë, shpejtësia e lartë i shkaktuar vdekjen shqiptarit Helton Tnaci. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 01:30 të natës, në rrugën “Borgo Padova”. I riu ishte si pasagjer në një makinë tip “Alfa Romeo” 147. Sipas policisë italiane, makinën po e drejtonte një tjetër shqiptar me inicialet H. B , edhe ai i të njëjtës moshë. H. B. nga aksidenti mbeti i plagosur dhe u dërgua menjëherë pranë spitalit të Castelfranco Venetos. Sipas autoriteteve, makina ka qenë me shpejtësi të lartë dhe gjatë një kthese ka humbur kontrollin, duke u përplasur kështu me një mur që ndodhej në cep të rrugës. Gjatë përplasjes, Helton Tnaci ka dalë jashtë makinës nga forca e goditjes. 18-vjeçari pas përplasjes ka pësuar trauma të rënda në të gjithë trupin. Menjëherë ai u transportua në spital, por ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur. Gjatë aksidentit kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë. Kjo, pasi pas përplasjes motori i makinës ka dalë jashtë saj, duke goditur edhe dy persona të tjerë që po udhëtonin.