E Diel, 1 Nëntor 2026

Jam 75-vjeç e dënuar për drogë, më lironi

Apeli i të moshuarës të dënuar për kultivim hashashi. Historia e arrestimit dhe dy nipërit e mitur që kanë mbetur jetimë

TIRANË- Një grua 75-vjeçare është e detyruar të kalojë pesë vite pas hekurave të burgut e dënuar për një krim që ndoshta nuk e ka kryer kurrë. Ajo akuzohet për kultivim të bimëve narkotike dhe ndoshta po vuan pesë vitet e fundit të jetës në mungesë totale të lirisë. Kësaj i shtohen edhe dy nipërit e vegjël të mbetur jetimë. Për ta, kjo e moshuar është njeriu i vetëm që mund t’i rrisë. Prej më se dy muajsh gruaja dërgon letra pa fund drejt institucioneve shtetërore dhe sot shpresa e saj e vetme është Presidenti i Republikës. Falja e dekretuar çdo vit prej tij mund ta nxjerrë gruan nga burgu dhe t’i japë mundësinë që të qëndrojë pranë nipërve të saj. Me pak fjalë kjo është historia tragjike e Feride Bakos nga një fshat i Fierit.

Gjithçka ka nisur pothuajse një vit më parë kur policia e Fierit zhvilloi një kontroll të befasishëm në fshatin Mbyet. Uniformat blu zbuluan disa parcela me hashash të mbjella në një prej tokave të fshatit. Bima narkotike u korr dhe “hetimi” i mëtejshëm zbuloi se ajo ishte mbjellë në tokën që ishte në pronësi të 75-vjeçares Feride Bako. Kjo e fundit nuk u arrestua menjëherë por çështja shkoi në prokurori. Edhe ky institucion kreu hetimet e tij dhe vendosi të konsiderojë Feride Bakon si fajtore për kultivim narkotikësh. Çështja e gruas që me vështirësi qëndronte në këmbë e jo më të kultivonte hashash kaloi në gjykatë dhe kjo e fundit e shpalli fajtore për veprën e rëndë të kultivimit të drogës. E moshuara u dënua me pesë vjet dhe menjëherë policia kreu arrestimin.

Ferideja u dërgua në qelitë e burgut ndërsa në shtëpi mbeti vetëm i shoqi dhe dy nipërit e mitur. Ata janë fëmijët e djalit të saj, i cili fatkeqësisht nuk jeton më. Djali i Feride Bakos ka vdekur disa kohë më parë në Greqi si pasojë e një aksidenti automobilistik dhe të vetmit që kujdeseshin për fëmijët ishin gjyshërit e tyre. Por vetëm dy muaj pas burgosjes së Feridesë, edhe bashkëshorti i saj ndërron jetë. Vdekja e tij lë për herë të dytë “jetimë” dy fëmijët. Ata kanë braktisur shkollën dhe bëjnë ç’të mundin për të fituar bukën e gojës. Tashmë gruaja e moshuar jeton vetëm me nipërit në mendje. Madje ajo kursen ndopak nga ushqimet e burgut me qëllimin e vetëm që të ketë diçka për t’iu dhënë nipërve kur t’i takojë. Në rast se nuk i takon përpara Vitit të Ri, ajo do t’iu dërgojë nipërve katër kokrrat e vetme të portokallit që ka mundur të ruajë gjatë këtyre ditëve. Prej dy muajsh Ferideja është në pritje të një faljeje.

Apel Presidentit te Republikes, te fale 75-vjeçaren Feride Bako ne prag te Vitit te Ri

E gjithë Shqipëria, madje e gjithë bota shqipfolëse, ka ndjekur përmes ekranit historinë tragjike të Feride Bakos, gruas 75-vjeçare, që mbahet në burg për kultivim bimësh narkotike, pasi ka humbur djalin emigrant, ka humbur të shoqin dhe ka mbetur e vetmja mbështetje për nipërit e saj. Feride Bako është simboli i një drame shoqërore, ku ajo nuk është i vetmi personazh, sepse të tjera gra, gjyshe apo nëna familjesh që jetojnë nën minimumin jetik, gjenden pas hekurave të burgut për një kundravajtje ligjore të kryer në humnerën e varfërisë e kulmin e një lufte rrëqethëse për mbijetesën e familjes e të fëmijëve të tyre.

Drama e pashoqe e gruas 75-vjeçare dhe e grave që vuajnë burgun për të njëjtën arsye nuk është thjesht drama e saj, apo e një grushti grash fatkeqe, por është drama jonë e përbashkët, në një atdhe ku skamja shtyn në skaje ekstreme të mbijetesës njerëz të thjeshtë, familjarë të dëshpëruar, gjyshe e prindër, që humbasin fuqitë për të kërkuar dritën në tunelin e pafund të varfërisë.

Nënë Ferideja duhet të kthehet në shtëpi, tek fëmijët e djalit të saj të vdekur. Çdo grua që mbahet në burg, për të njëjtin shkak ndërkohë që me dhjetëra e dhjetëra fëmijë janë rrugëve në mëshirë të fatit, pa gjyshen apo nënën e tyre, duhet të ketë shansin e një trajtimi rast pas rasti të mundësisë së faljes në bazë të një ligji të veçantë.

Shteti, shoqëria, të gjithë ne, duhet t'i kërkojmë dhe gjejmë gjetkë rrënjët e krimit të kultivimit e trafikimit e kultivimit të bimëve narkotike, aty ku ato janë realisht. Këto rrënjë ushqehen nga varfëria, zhvillohen në territore ku s'ka politika sociale e ku s'ka as kontrolldhe pastaj as barazi para ligjit, dhe ç'është më e keqja, mbeten të paprera, pikërisht sepse të tjerë janë ata që fitojnë nga kjo tregti, e të tjerë janë ata që kriminalizohen e dënohen deri në absurd, si në rastin e Feride Bakos.

Kriminalizimi i një plake 75-vjeçare dhe dënimi i saj, e një grushti grash fatkeqe, të cilat në bilancet e luftës ndaj trafikut të drogës figurojnë si shifra suksesi, është në fakt një padrejtësi e madhe që vetë shteti dhe shoqëria duhet ta vënë në vend.

I kam kërkuar ekspertëve tanë, që t'i vënë në dispozicion Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,një propozim konkret për të trajtuar këtë grup fajtorësh pa faj përmes një nisme që duhet t'i japë secilës prej tyre, një shans për t'u trajtuar brenda kornizës së një amnistie, sigurisht rast pas rasti.

I bëj njëkohësisht apel Presidentit të Republikës, që me përgjegjësinë që i jep ligji, që të falë 75-vjeçaren Feride Bako dhe t'i japë mundësinë të përqafojë nipat e saj në vigjilje të Vitit të Ri.

I sëmuri mendor në burg për kultivim droge

Historia e Feride Bakos është vetëm një por shumë gra e burra të moshuar vuajnë dënime në burgjet shqiptare për një krim që ndoshta nuk e kanë kryer. Disa kohë më parë “Shekulli” ju tregoi për një fshat në Vlorë ku banorët e vetëm ishin disa të moshuar. Të gjithë ishin të kërkuar për kultivim bimësh narkotike dhe të gjithë ishin mbi 80 vjeç. Këtë herë do t’ju tregojmë për rastin e një personi të dënuar nga gjykata e Vlorës për kultivim bimësh narkotike. Ai quhet Shefqet Musaraj dhe është shpallur nga mjekët si i sëmurë mendor.

Historia e tij ka nisur në fund të vitit 2006 kur është dënuar me tre vjet burgim nga Gjykata e Vlorës. Edhe pse avokatët kanë treguar se ai vuan nga çrregullimet mendore, gjykata ka vendosur ta lërë në qeli. Çështja ka arritur në Apel por sërish gjykata e ka dënuar Musarajin me tre vjet burgim. Vendimi i dytë është dhënë në korrik të këtij viti por ai shoqërohet edhe me procesverbalin e mjekëve që tregojnë gjendjen e tij. Në një prej pasazheve të procesverbalit shkruhet: Shefqet Musaraj njihet si i sëmurë mendor që vuan nga çrregullimi afektiv bipolar maniak-depresiv. Shqetësimet e para mendore i ka manifestuar në vitin 1973, kur edhe shtrohet në spital. Deri në vitin 1995 shtrohet nëntë herë duke pasur përsëritje të psikozës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›