Rrëmbyen shokun për borxhin, dërgohen në gjyq
Bilbil Krasniqi dhe Gentian Luga kanë mbajtur peng për disa orë F. Gicin në fshatin e Brar të TiranësTIRANË- Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet dhe dorëzoi në gjykatë dosjen penale ndaj dy të pandehurve Bilbil Krasniqi dhe Gentian Luga, të cilët në shkurt të 2008 rrëmbyen për disa orë shtetasin F. Gici për një borxh mes tyre. Sipas kërkesës për gjykim, dy të pandehurit Krasniqi e Luga, pas konfliktit mes tyre dhe shtetasit F. Gici për një shumë të konsiderueshme parash e kanë “rrëmbyer” atë me forcë dhe e kanë dërguar në fshatin Brar rreth 5 km në lindje të Tiranës, duke e rrahur dhe torturuar për disa orë dhe më pas e kanë lënë aty. Për të gjitha këto veprime, prokuroria nga hetimet e kryera ka arritur në përfundim se dy të pandehurit Krasniqi e Luga në bashkëpunim edhe me një person tjetër që vazhdon të hetohet, kanë kryer veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” në bashkëpunim. Sipas denoncimit të F. Gicit dhe hetimeve të kryera, ka rezultuar se “pengu” nuk po i kthente një sasi parash që dy të pandehurit po ia kërkonin dhe duke mos arritur të sqarohen për këtë shumë, e kanë marrë të riun Gici duke e futur në makinën e tyre të tipit “Honda” me targa GEE 46055 në fillim të muajt shkurt. Rrëmbimi i tij, sipas prokurorisë, ka ndodhur në rrugën “Nijazi Meka” në Tiranë kur makina e shokëve të tij i është afruar pranë dhe shokët i kanë kërkuar pengut të shkonte me ta. Gici, është futur në makinën e “miqve” të tij, ndërsa të gjithë së bashku kanë marrë rrugën e Komunës së Zall-Bastarit, ose siç njihet tashmë Rruga e Arbrit. Me të mbërritur në fshatin Brar të kryeqytetit e kanë zbritur pengun nga makina dhe në afërsi të një përroi e kanë goditur, rrahur dhe lënë aty. Pasi është lënë i lirë, Gici ka lajmëruar policinë duke kërkuar ndihmë dhe ka bërë menjëherë denoncimin, ndaj“pengmarrësve” të tij që u arrestuan vetëm pak ditë më parë nga policia.