"Tërhiqet" Berisha, besnikëri amerikanëve
Kryeministri Sali Berisha është përpjekur dje që të çtensionojë marrëdhëniet me amerikanët. Pas kundërvënies së hapur që u bëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ligjin e pastërtisë së figurave, kreu i qeverisë ka shfrytëzuar ceremoninë e pritjes së trupave ushtarake shqiptare që kanë shërbyer në Irak, për të rikuperuar sadopak në këtë drejtim. Duke përfituar nga pjesëmarrja në këtë ceremoni edhe e përfaqësuesit më të lartë të SHBA-së në Shqipëri, ambasadorit Xhohn Withers, me të cilin vetëm pak ditë më parë u konfrontua në distancë për çështjen e dosjeve, Berisha ka përcjellë mesazhe paqeje, duke deklaruar besnikëri ndaj miqve amerikanë.
Berisha
Përmes falënderimit të shprehur për kontributin që dhanë paqeruajtësit shqiptarë në ruajtjen e lirisë së Irakut, kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se, ky mision, përveçse ishte një ndihmë për popullin irakian, ishte dhe një mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat drejtonin dhe koalicionin “Liria e Irakut”. Berisha ka lënë pas deklaratat e disa ditëve më parë, ku u tregonte Shteteve të Bashkuara të Amerikës pavarësinë e Shqipërisë në vendimmarrje dhe ka shprehur vijimin e marrëdhënieve të shkëlqyera edhe me administratën e re të Presidentit Barack Obama. “Ky mision kishte një specifikë tjetër të madhe. Ju atje shkuat së bashku me trupat e ushtrisë amerikane, të ushtrisë më të shkëlqyer të planetit. Prania juaj ishte, para së gjithash, simbol i respektit, i mirënjohjes, i miqësisë që shqiptarët ndiejnë ndaj një kombi të madh, ndaj qeverisë amerikane, dhe Presidentit Bush. Bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi pasur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara George W. Bush, do ta vazhdojmë me Presidentin e zgjedhur, Barack Obama në të gjitha rastet, në të gjitha frontet që të jetë e nevojshme”, - deklaroi Berisha në fjalën e vet, të mbajtur dje gjatë ceremonisë së pritjes së trupave paqeruajtëse, të zhvilluar në Sheshin “Skënderbej”.
Withers
Nga ana e tij, ambasadori Xhohn Withers ka shmangur çdo kompliment për qeverinë shqiptare, ndërsa ka drejtuar gjithë mirënjohjen për popullin shqiptar, të cilët kanë mbështetur shtetin amerikan në çdo moment të vështirë. Withers vlerësoi kontributin e çmuar që paqeruajtësit shqiptarë kanë dhënë në Irak përkrah ushtrisë së SHBA-së dhe vendeve të tjera aleate në mbrojtje të vlerave të demokracisë. “Ju sjell sot falënderimet e qeverisë amerikane për ndihmën e dhënë për vendosjen e paqes dhe lirisë në një tokë të largët. Sot ju përcjell respektin e kombit amerikan për kurajën e treguar dhe për sakrificat që keni bërë duke qëndruar kaq larg familjeve dhe shtëpive tuaja”, - u shpreh ambasadori Withers, duke iu drejtuar ushtarakëve shqiptarë. Duke shprehur mirënjohjen e popullit amerikan, ambasadori amerikan shprehu bindjen se nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria të qëndrojnë përkrah SHBA-së si anëtarë me të drejta të plota i NATO-s. “Dua të shpreh mirënjohjen e popullit amerikan, sepse keni qenë miq të Amerikës kur ajo ka pasur nevojë”, - tha më tej ambasadori Withers. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj.