E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Jam krenare për Afrikën time. Aty jam edukuar"

Ja tek është, po vjen. Fotografes Brigitte Lacombe nuk i pëlqen të jetë e rrethuar nga njerëz ndërsa punon. Për të bërë fotografi kërkon që dhoma të jetë e boshatisur. "Të gjithë jashtë!". Por për fatin e saj të keq, dy zotërinj nuk mund të dalin jashtë, sepse njëri është zëdhënësi i Princit që e shoqëron kudo, ndërsa tjetri truproja. E shoqërojnë kudo, i qëndrojnë disa metra larg, por janë gjithmonë të vëmendshëm. Është ora katër e pasdites, dhe Charlene Wittstock ka veshur fustanin e mbrëmjes, ngjyrë lejla të "Armani"-t, sandale me taka, (jo shumë të larta, sepse është vetë e gjatë) dhe ka vënë një palë vëthë që shkëlqejnë si diamant. Mbrëmja e saj do të jetë e gjatë. Fillimisht do të takohet me Clinton, i cili e ka ftuar për një kokteil, më pas do të pozojë për një revistë mode.

Charlene flet shumë pak ose pothuajse fare. Jep ndonjë buzëqeshje sa për të thyer monotoninë. Ka hijen e një gruaje të ftohtë, por edhe Grace Kelly, që ajo duhet ta zëvendësojë në shpirtin e Principatës së Monakos e kishte. Grace është aktorja e preferuar e Charlene. Në një intervistë të Oriana Falacit ajo ka thënë: "Është një vullkan i mbuluar me dëborë". Gjithsesi, nuk është aq e ftohtë sa dukej në fillim. Këtë herë, ndërsa flet me gazetaren, dhuron pafund buzëqeshje. Megjithatë, po t‘i shohësh me kujdes e kupton që janë të qeshura, e jo buzëqeshje. Për shembull kur e pyet se cili është filmi i Grace Kelly që i kujtohet më mirë, ajo përgjigjet: "Oh, jo, për këtë nuk do të arrini të më merrni një përgjigje...".

Të themi që pothuajse ka marrë rolin e Princeshës së Monakos. Themi pothuajse, sepse nuk është bërë ende bashkëshortja e Princit Alberti II. Nuk janë martuar, por tani gjërat mbeten vetëm për t‘u zyrtarizuar. Dyshime nuk ka më. Gjithsesi, herët ose vonë martesa e tyre do të bëhet dhe përgjigjja e Charlene duket një "Po" e hapur. "Nuk kam dyshime, janë shumë të dashuruar me njëri∑tjetrin, mjafton t‘i shohësh bashkë. Duken si dy adoleshentë", thotë një mikeshë e saja.

Nga afër, Princesha është edhe më e bukur, ka lëkurë të bardhë, sy të ëmbël e shumë shprehës, por që kohët e fundit duket sikur janë mbuluar nga një perde melankolie. Ndoshta është vetëm lodhje. Është shumë e edukuar, madje dhe kur kërkon një gotë ujë, u kërkon njëqind herë të falur shërbëtoreve. Tregon se nuk ka lindur në Afrikën e Jugut, siç thonë të gjithë, por në Zimbabve, ku i ati kishte një industri tekstile dhe që vetëm pas 11 vjetësh familja u transferua në Johanesburg, ku jeton edhe aktualisht, jo shumë larg aeroportit ndërkombëtar.

Për të nuk dihen shumë pak gjëra, që ka dy vëllezër më të vegjël, që ka qenë kampione noti dhe se ndër vite ka fituar rekorde të ndryshme. Tani i ka dhënë lamtumirën notit, duke hequr pikërisht dorë në Lojërat Olimpike të Pekinit. Gjithsesi, për vitet e sportit ka një kujtim të bukur, edhe pse kjo i ka kushtuar shumë. "Kam bërë një jetë të fshehtë, kushtuar vetëm sportit. Kur isha në shkollë, zgjohesha në katër të mëngjesit, jetonim larg pishinave dhe për të arritur aty më duhej të udhëtoja plot dy orë. Për këtë arsye kur mbusha 18 vjeçe e lashë shkollën për t‘u marrë seriozisht me sportin", thotë Charlene. Seriozisht nënkuptonte të paktën 5 orë në ditë duke bërë stërvitje në ujë. Bëja pak pushim dhe udhëtoja vetëm kur kisha gara. "Një punë mjaft e vështirë", thotë duke qeshur, "por që më ka ofruar shumë mundësi". Nuk e thotë, por me siguri mendon për darkën e dhënies së çmimit në një restorant të Montekarlos, ku për herë të parë takoi edhe Princin, i cili i kërkoi një takim. "Duhet t‘i marr leje trajnerit tim", i ishte përgjigjur ajo dhe më pas si një Hirushe e vërtetë, kishte dalë së bashku me një shoqe për të blerë fustanin. Ishte viti 2001 kur çifti darkoi së bashku në një prej restoranteve më të mira të Montekarlos. Mbrëmja u mbyll me një shëtitje nëpër qytet. Më pas nuk dihet me saktësi se çfarë ndodhi, ose më saktë për Albertin i dimë të gjitha, mjafton të shfletosh gazetat për të parë miqësinë e ngushtë që ka me femrat. Ndërsa për Charlene duhet të shohësh klasifikimet e garave të notit. E dimë se dalja e tyre e parë në publik është regjistruar në shkurt të 2006∑s, gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Torino. Çifti kishte një vit që ishte lidhur. Ishin parë në Paris ndërsa ndiqnin një ndeshje tenisi. Ato fotografi linin shumë për të dëshiruar: Alberti që i puthte dorën me shumë dashuri, ndërsa ajo qëndronte e mbështetur në shpatullat e tij. Ky është edhe fillimi i përrallës së tyre. Përralla e një vajze të panjohur nga Afrika e Jugut, mijërave vite larg dritë nga bota e spektaklit dhe trashëgimisë ndërkombëtare. "Është një femër e jashtëzakonshme", komenton shoqja e saj, "nuk është arrogante dhe nuk shtiret. Pikërisht çiltërsia dhe edukata e bën më fisnike. Charlene i ka jetuar të gjitha shqetësimet e jetës reale".

Jo të gjitha vajzat do të ishin të gatshme të bënin sakrificat që Charlene ka bërë për pasionin ndaj sportit. Për Charlene, që prej disa kohësh administron një shkollë noti për fëmijët e varfër të Afrikës së Jugut, të heqësh dorë nga një ëndërr bëhesh më e fortë. "Ky lloj vendimi të bën ta shohësh jetën me sy tjetër, t‘i përballosh vetë zhgënjimet dhe të nxit të arrish objektiva më të mëdhenj në jetë, pa marrë parasysh një fakt tjetër, që aftësia konkurruese mund të zhvillojë një talent, që në rrethana të tjera mund të mbetet i pazbuluar", thotë ajo. Prej kohësh Charlene jeton në Monako, në një apartament të vogël pranë pallatit mbretëror, në pjesën e vjetër të qytetit. Vazhdon të notojë dy orë në ditë, por tanimë dita e saj i kushtohet vetëm Princit. Janë të shumta fotot ku ajo ka dalë përkrah tij në mbrëmje, kokteile, darka dhe evenimente sportive. Tashmë jeta e saj është një axhendë e mbushur me takime mondane, inaugurime, ndarje çmimesh. Takime që kërkojnë një përgatitje serioze. Shpesh shfaqet me flokë të mbledhura, ndonjëherë në stilin e Merlinit, herë të tjera i mban të lëshuara. Veshjet ia ka besuar stilistit Giorgio Armani, i cili adhuron ta veshë dhe të krijojë modele posaçërisht për të. Një nga pasionet e Charlene është kuzhina. I pëlqen shumë të gatuajë për të shoqin. Charlene është një vajzë që ndan me Albertin jo vetëm pasionin për sportin, por edhe frikën për ngrohjen globale të planetit tonë. Si çdo vajzë tjetër, edhe ajo ka një ëndërr në sirtar: të çojë në Afrikë të gjitha kafshët e mbyllura nëpër kafazet e botës. "Unë jam afrikane. Është vendlindja ime dhe më duket e mrekullueshme", thotë me shumë krenari. E viziton pothuajse dy herë në vit, por tani duhet ta bëjë më shpesh, sepse është ambasadore për Botërorin 2010 që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut. "Jam krenare për vendin tim dhe shumë optimiste për rezultatet që do të arrijmë. Po ndjek me shumë kujdes përgatitjet dhe gjithçka që po bëhet është fantastike".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›