E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuala Lumpuri, "tigri" i Malajzisë

Duket sikur në Kuala Lumpur të gjithë njerëzit veprojnë njëlloj. Shumica prej tyre gjatë ditës i lënë takimet në "Sultan longue" apo te "Skybar" të "Traders hotel", lokali me pishinë mbi çati. Pas darke, shihen në "Lecka Lecka", në qendrën "Bukit Bintang", për të tymosur nargjile ose në pallatin "National Press Club", për ndonjë birrë shoqëruar edhe me ndonjë lojë bilardo, ku zakonisht të rinjtë diskutojnë për probleme të rëndësishme mes të cilave edhe liria e kufizuar e shtypit. Aty mund të takosh personazhe si Rocky, një djalosh që ka një bloger antiqeveritar apo Marina Mahathir, vajza e Mahathir Mohamed, Kryeministër i vendit për 22 vjet, arkitekt i rimëkëmbjes së Malajzisë dhe përkrahës i rikthimit të vlerave aziatike si antidot i lirisë perëndimore. Ajo është një aktiviste e shumë organizatave për të drejtat civile. "Nëse im atë ia vë veshin dikujt, ai nuk jam unë. Mendon se jam shumë radikale", tregon. "Kontrasti i jetës stimulon idetë: nga shumëllojshmëria lindin mundësitë. Jam shpirti i Malajzisë", komenton Vermon. Ai është personifikimi më i mirë; i krishterë, pasardhës i një familjeje tregtarësh portugezë e përzierë me kinezë dhe indianë. Nga i njëjti grup, që përbën rreth 2 për qind të popullsisë, bën pjesë edhe Tony Fernandes që e ka shndërruar "Air Asia" në një nga kompanitë më të mëdha ajrore "low cost" të planetit. Edhe për këtë arsye, tashmë njerëzit i referohen kryeqytetit malajzian me akronimin e tij aeroportual: K.L. Shqiptimi (Kei El) tregon vullnetin për ta përcaktuar Kuala Lumpurin si metropolin e ri aziatik në konkurrencë me Singaporin, rivalin e madh. "Kei El është më çlodhës dhe më miqësor se Singapori", thotë Wanyne Wong, menaxheri i BRDB-së, gjiganti imobiliar i Malajzisë. Sipas Wayne, Singapori ka pasur sukses për një fakt të lidhur me imazhin. Projekti i fundit i BRDB, "The Troika", një kompleks prej tri kullash prej xhami dhe çeliku është dizajnuar nga arkitekti më i famshëm në botë, Norman Foster. "Punimet e arkitektëve të mëdhenj do ta shndërrojnë Kuala Lumpurin në një firmë globale", siguron. "Jemi më të besueshëm se vendet e tjera aziatike, për shkak të politikës së qeverisë ndaj monedhës vendase. Në Malajzi të huajt mund të kenë pronësinë e plotë të pasurive të tyre të paluajtshme thotë Irene Leow, kolegia e Wayne, që të dyja kineze. Sipas të dhënave, përqindja e myslimanëve në Malajzi është 65 për qind, ndërsa në Kuala Lumpur akoma më e ulët. Në fakt, që nga mesi i viteve ‘80, Kuala ishte një qytet kinez, i populluar nga pasardhësit e atyre që kishin ardhur një shekull më parë, bashkë më mijëra indianë, kur Malajzia ishte koloni britanike, për të punuar në plantacionet e kauçukut. Malajët, popullsia autoktone e konvertuar në myslimanë nga tregtarët arabë, preferonin të kultivonin orizin. Nën qeverisjen angleze, vendi kishte gjetur një ekuilibër: kinezët kontrollonin ekonominë, malajët politikën. Pas pavarësisë, në vitin 1957, diferencat ekonomike filluan të ndiheshin dhe në vitin 1969 malajët nisën një revoltë etnike. U krijua kështu "National Economic Policy" (NEP) që u garantonte atyre një trajtim të favorizuar për studim dhe punësim. "Diçka e tillë nuk mund të ndodhë më. Malajët e kuptuan rëndësinë e kinezëve. Kriza globale këtu po shihet si një mundësi", shton më tej Irene. Programi i Kryeministrit të ri, Najib Razak, i jep të drejtë. Sapo është deklaruar se qeveria do të modifikojë NEP-in. Si shkëmbim ka propozuar "New Economic Model", për të rritur sektorin e shërbimeve dhe për të vendosur "një ekonomi të bazuar mbi njohjen". Edhe për Lin Wei-Ling, kriza është një mundësi e mirë. "Pasiguria është pozitive, të jep energji", thotë kjo zonjë simpatike, një artiste e njohur në Kuala. Galeria e saj me ermin "Wei-Lang Gallery" gjendet në një pallat të vogël të lagjes indiane. Veprat e ekspozuara përfaqësojnë tendencat e artit malajzian. Qyteti është tmerrësisht shumë i dhënë pas artit. Një ndër simbolet e tij janë edhe "Petronas towers", kullat binjake me lartësi 452 metra. Të programuara nga argjentinasi Cesar Pelli dhe të përfunduara nga viti 1998, janë bërë simbol i progresit ekonomik kombëtar. Deri në vitin 2005 mbanin me krenari edhe rekordin e ndërtesave më të larta në botë. Ato quhen Menara 1 dhe 2 dhe lidhen midis tyre në katin e 41 dhe 42 nga një urë qiellore. Në këmbë të tyre gjendet një qendër e madhe tregtare. Një tjetër simbol, më pak evident, por me më shumë domethënie gjendet në 25 kilometra më në jug. Është Putraya, kryeqyteti i ri administrativ. Një qytet model i ndërtuar për t‘u bërë qendra e parë qeverisëse elektronike. Një qendër superteknologjike dhe ultra-ekologjike me 70 për qind hapësirë jeshile dhe ujë. Pjesa tjetër është e mbushur me ndërtesa në stilin modern arab, fakt që ka hasur në kritikat e minoriteteve. "Mund të duket një qytet i Gjirit Persik, por është çmimi për t‘u paguar nëse duam të jemi në qendër të financës islamike". Hapësira tjetër publike e Kuala Lumpurit ndjek modelin e Singaporit apo Tokios. Monumentet arkitektonike përfaqësohen shpesh nga hotele të mëdha apo qendra tregtare. E fundit nga këto vepra është "Pavilion", një qendër tregtare e shndërruar në një qendër luksi planetare e populluar nga kineze të veshura me fustane mëndafshi, gra indiane me sari, malajë ose arabe të mbuluara me xhihab. Nuk mungojnë as ato që vërtiten nëpër dyqanet shik "Gucci" apo "Prada". Një tjetër vepër mbresëlënëse është edhe "Feast village", një "fshat" i përbërë nga 13 restorante me kuzhina të ndryshme të ndërtuara nga dizajnuesi japonez, Yuhkuchi Kawai, në brendësi të hotel "Marriot". Lokali, i ndërtuar me 9999 shishe, është një restorant arab, ku nuk shërbehen pije alkoolike. Në mes të gjithë këtij modernizmi Kuala Lumpuri, zbulon trashëgiminë koloniale. Të paktën kështu duket në Carcosa seri Negara, ish-rezidenca e guvernatorit britanik, e transformuar në një hotel vetëm me suita, duke ruajtur njëkohësit edhe shpirtin e kohës kur aty qëndronte Somerset Maugham.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›