E Shtunë, 31 Tetor 2026

Janë bërë të gjitha përgatitjet për testin e arritshëmrisë

Janë bërë të gjitha përgatitjet për testin e arritshëmrisë, ku do t’i nënshtrohen rreth 34 mijë nxënës të klasave të nënta. Ky test do të organizohet më 28 qershor në të gjitha shkollat e vendit dhe ka për qëllim t’u mundësojë të rinjve të orientohen në karrierë dhe të bëjnë klasifikimin e profesioneve në bazë të numrit të pikëve që ata marrin.

Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, thotë për Radio Kosovën se tani është duke u bërë finalizimi i pyetjeve për testin e arritshmërisë, i cili organizohet për nxënësit që përfundojnë klasën e nëntë, transmeton Rtk.
“Zakonisht nga ekspertët marrin një grumbull të madh pyetjesh, që ne e quajmë fondin e pyetjeve në bankën e pyetjeve dhe nga ai fond koordinatorët zgjedhin pyetjet që konsiderojmë se janë funksionale për testin e arritshmërisë”, tha Kadriu.
Kadriu bëri të ditur se ky test do të mbahet më 28 qershor dhe më 8 korrik do të bëhet publikimi i rezultateve. Me anë të testit të arritshmërisë, nxënësit do ta kenë më të qartë se në cilat drejtime do të kenë përparësi për t’u regjistruar.

“Testi i klasës së 9-të është duke kryer një detyrë shumë të rëndësishme, sepse pasi të shpallet konkursi, në konkurs ne paraqesim formulën e pranimit, ku merret parasysh për secilin drejtim në secilën shkollë, në mënyrë që secili nxënës, secili prind, në bazë të pikëve, kanë mundësi me hy në konkurrencë. Nuk është mirë që nxënësi atje ku nuk i plotësojnë kriteret me konkurrua, sepse dokumentet nuk i marrin ato shkolla të cilat nxënësit nuk i plotësojnë kriteret”, tha Kadriu.

Kadriu tha se qëllimi kryesor i këtij testi janë pikët e arritura, që tregojnë edhe nivelin e cilësisë së arsimit. Me anë të këtij testi matet edhe puna e mësimdhënësve, kurrikulave dhe teksteve shkollore. Nga ky test nxënësit rangohen në bazë të pikëve që fitojnë. Asnjë prej tyre nuk do të përsëritet, por vetëm u jep mundësi për t’u orientuar në shkollimin e mëtejshëm. Ndërkohë, më 8 korrik do të shpallet edhe konkursi për pranimin e nxënësve në shkollat e mesme./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›