E Shtunë, 31 Tetor 2026

Municionet, Moisiu: Mediu refuzoi takimin

 
Ditari i ish-presidentit Moisiu: Thirra ministrin për të raportuar mbi probleme që kisha dëgjuar për trafikun, por nuk erdhi TIRANË- Tragjedia e Gërdecit ndoshta do të ishte evituar, nëse do të ishin respektuar institucionet, nëse do të kishte llogaridhënie zyrtare dhe normale, e cila ishte minuar nga fryma e konfliktualitetit që kishte mbjellë lidershipi i PD-së ndaj presidentit Moisiu. Thënë troç, Gërdeci do të ish evituar, nëse ish-ministri i Mbrojtjes do të kishte respektuar qoftë edhe si detyrimkushtetues llogaridhënien tek Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Alfred Moisiu, president i Shqipërisë deri më 24 korrik 2007, ka zbuluar disa detaje të rëndësishme që hedhin dritë mbi problemin e municioneve, i cili mesa duket, nuk ka qenë i panjohur që një vit më parë.Në një shfletim të kujdesshëm të ditarit personal që ka mbajtur ish-kreu i shtetit gjatë mandatit të tij 5-vjeçar, janë edhe shënimet që flasin për trafik të mundshëm municionesh të ushtrisë shqiptare në drejtim të vendeve të tjera. Shënimet janë të muajit qershor 2007, dy muaj para se presidentit t'i mbaronte mandati, në një kohë kur marrëdhëniet institucionale mes presidencës dhe qeverisë ishin të vdekura.
***Ish-presidenti kujton se kishte dëgjuar shumë rreth municioneve dhe trafikut të tyre, ndaj ai në rolin e tij kushtetues si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisëkishte vendosur të thërriste për konsultime ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. "Unë e thirra ministrin Mediu për të konsultuar me mua problemet që kisha dëgjuar lidhur me municionet, por ai nuk u tregua i gatshëm të vinte në presidencë",-shkruan në ditar ish-kreu i shtetit, Alfred Moisiu. Më poshtë ai vijon të tregojë përpjekjet që kishte bërë pas refuzimit të ministrit që të vihej në dijeni të problemeve lidhur me municionet. "Atëherë unë kërkova në raport zëvendësministrin e Mbrojtjes Petrit Karabina, por edhe ai nuk erdhi, pasi nuk e kishte lejuar ministri i Mbrojtjes"-shkruhet në ditarin e ish-presidentit Moisiu.
***Shmangia që ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i bënte kreut të shtetit, nuk ishte një rast i izoluar. Ai në fakt imitonte lidershipin e PD-së, kryeministrin Berisha, kryetaren e Kuvendit Topalli dhe ministrat demokratë të qeverisë, të cilët prej mandatimit të qeverisë në shtator 2005 i kishin shpallur luftë politike institucionit të presidencës dhe vetë presidentit Moisiu. Në qindra fjalime, apo sulme indirekte, siç ishte rasti i përgjimit të kompanisë private të fluturimeve "Albatros", ku ishte drejtues nipi i Moisiut, PD-ja dhe drejtuesit e saj e sulmonin hapur presidentin duke "ndërsyer" ndaj tij edhe ministrat e partive të tjera aleate në qeverisje, siç ishte rasti i kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu.
Përgjatë kohës shtator 2005-korrik 2007, janë shumë të pakta rastet kur lidershipi i PD-së iu përgjigj ftesës së kreut të shtetit për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, anëtarë të të cilit janë Kryetari i Kuvendit, Kryeministri,ministrii Punëve të Jashtme, ministrii Mbrojtjes, Ministrii Rendit Publik, ministrii Pushtetit Lokal, ministrii Financave, ministrii Transporteve, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror.Me të njëjtën frymë armiqësore, por edhe me qëllime të errëta, qeveria "Berisha"mënjanoi rolin e kreut të shtetit në mars 2007, kur nënshkroi vendimin për trajtimin e municioneve të armatimeve pas heqjes nga përdorimi. TIRANË- Vendime të tilla të qeverisë, siç ishin ato për municionet e që kishin të bënin me sigurinë kombëtare duhej të kishin edhe miratimin e komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe të kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sipas të drejtave që i jepte Kushtetuta e Shqipërisë. Në kreun e dytë të saj thuhet se: "Presidenti i Republikës është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe gëzon autoritetin e plotë të komandimit e të drejtimit të Forcave të Armatosura. Ndër detyrat dhe përgjegjësitë e tij është miratimi i planit të veprimeve të Forcave të Armatosura në kohë paqeje". Por përveç injorimit kushtetues të rolit të presidentit të vendit, qeveria shmangu edhe konsultimet me presidentin, i cilikishte një karrierë shumëvjeçare si drejtues në armën e xhenios dhe që sigurisht nuk do të kishte dhënë miratimin e tij që këtë punë të specializuar të ushtrisë ta kryente një firmë fantazmë nga SHBA dhe një i akuzuar shqiptar, pranë njëzone të populluar si Gërdeci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›