E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, hetim trafikut të fishekëve

 
Prokuroria ballafaqon evidencat e fishekëve të sekuestruara në SHPU, MEICO, në dogana dhe tek firma "Albademil"
Gjeneral Shpëtim Spahiu, 8 orë dëshmi për evidencat e fishekëve në fabrikën e vdekjes
TIRANË- Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit zgjeron pistat e hetimit për ngjarjen e rëndë, të ndodhur më 15 mars. Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës pohojnë se gjatë ditëve të fundit, objekt hetimi janë bërë dokumentet dhe evidencat e transportimit të fishekëve, me kërkesë të MEICO-s dhe me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm dërguar firmës "Albademil" për çmontime në Gërdec, pasi dyshohet se firma në fjalë i ka trafikuar një pjesë të tyre në vende të ndryshme të Lindjes. "Po kryhet verifikimi dhe ballafaqimi i dokumenteve të sekuestruara në Shtabin e Përgjithshëm, pranë zyrave të MEICO-s, pranë doganave dhe firmës "Albademil", pasi dyshohet se një sasi e konsiderueshme fishekësh të destinuar për çmontim, janë transportuar jashtë Shqipërisë, duke përfunduar në tregje të panjohura armësh",- thanë dje burimet e akuzës. Këto dyshime janë ngritur pas ballafaqimit të kontratës së nënshkruar mes MEICO-s dhe firmës "Albademil" dhe disa shkresave të sekuestruara në doganë, nga ku kanë kaluar fishekët e destinuar për trafik. ***
Gjatë ditëve të fundit, "Shekulli" ka botuar dhjetëra dëshmi të punëtorëve të fabrikës së vdekjes, të cilët kanë zbardhur gjurmët e një trafiku municionesh, nga Gërdeci. Punëtorët rrëfenin se në axhendën e punëve të tyre ishte edhe paketimi i lehtë i fishekëve të paçmontuar, të cilët ngarkoheshin në kamionë me targa të huaja dhe i drejtoheshin Durrësit. Në lidhje me këto dyshime, grupi hetimor ka sekuestruar një sërë raportesh shërbimi të dorëzimit dhe pranimit të fishekëve nga depot e ushtrisë, procesverbalet e dorëzimit të këtyre fishekëve pranë fabrikës, shkresat e çmontimit të tyre në fabrikën e Gërdecit dhe shkresat zyrtare të aeroportit të Rinasit apo Portit të Durrësit, nga ku mendohet se kanë dalë jashtë territorit të Shqipërisë. Gjithashtu, po nga këto burime mësohet se edhe gjatë dëshmisë së djeshme të Komandantit të Forcave të Bashkuara, gjeneral Shpëtim Spahiut, prokurorët kanë kërkuar shpjegime dhe saktësime në lidhje me këtë pikë, pasi dyshohet se firma "Albademil" ka kryer trafik fishekësh për në vendet e Lindjes së Mesme. ***
"Gjeneral Shpëtim Spahiu, për herë të dytë në pak ditë, ka qëndruar përreth 7 orë para zvprokurorit Genc Qano, duke treguar procedurat e transportimit të fishekëve nga depot e ushtrisë në drejtim të fabrikës së Gërdecit dhe sasitë e dërguara atje. Gjithashtu, Spahiu ka treguar se çdo urdhër i transportimit të fishekëve është bërë nga ai dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, pas kërkesave të parashikuara në kontratën e MEICO-s me firmën "Albademil",- thuhet nga burimet e prokurorisë. Ndërkaq, prokurorët gjatë marrjes së deklarimit të tij, kanë kërkuar nga gjeneral Spahiu të sqarojë edhe vendimin e marrë nga Ministria e Mbrojtjes, për vendosjen e Fabrikës për Çmontimin e Municioneve në Gërdec dhe se kush e kishte përgjegjësinë e ruajtjes dhe sigurisë së repartit ushtarak. Në shpjegimet e tij, gjeneral Spahiu ka ruajtur të njëjtën frekuencë me përfaqësuesin e Shtabit të Përgjithshëm, të cilët ngulmojnë se strukturat e ushtrisë nuk kanë vendosur për Gërdecin. "Ne, ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm nuk jemi pyetur fare për vendosjen e fabrikës së çmontimit, ai vendim është marrë nga zyra apo paradhoma e Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu",- mësohet të ketë thënë Gjeneral Spahiu. Ndërkohë, në lidhje me mbikëqyrjen dhe sigurinë e repartit dhe kontrollin e kushteve të çmontimit, gjeneral Spahiu tha: "Kjo kompetencë na është hequr me urdhër të ministrit Mediu, i cili ia ka kaluar këtë kompanisë së shitblerjes së armëve dhe municioneve, MEICO". Shefi i Shtabit të Përgjithshëm merret në pyetje për të sqaruar pozicionin e tij Luan Hoxha, deri pasmesnate në prokurori TIRANË- Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral-Lejtnant Luan Hoxha e gjen mesnata në Prokurorinë e Tiranës. Pasditen e djeshme, ai është thirrur nga prokurori Genci Qano për të dhënë dëshmi për herë të dytë, lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Ka qenë ora 19:30, kur Hoxha i shoqëruar nga shoferi i tij personal dhe pa uniformën e ushtarakut ka kaluar derën e Prokurorisë së Tiranës, pas fletë-thirrjes dërguar nga zvprokurori i rrethit, Qano. "Marrja në pyetje e tij është bërë për të sqaruar disa urdhra të firmosura nga ai dhe kompetencat e tij, në lidhje me caktimin e Gërdecit si zonë për ngritjen e fabrikës dhe mbikëqyrjen që Shtabi i Përgjithshëm kishte mbi këtë repart të "privatizuar" nga shoqëria "Albademil",- bëjnë me dije burime të prokurorisë. Nuk bëhen të ditur shumë detaje nga seanca e pyetjeve të Gjeneral Hoxhës, por burime nga akuza bëjnë me dije se, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ka qëndruar deklarimeve të dhëna dy ditë më parë, duke ia kaluar gjithë përgjegjësinë ministrit Mediu. Pas marrjes së tij në pyetje, mësohet se prokuroria do të kërkojë të rimarrë në pyetje edhe Ministrin e Mbrojtjes, tashmë të dorëhequr, Fatmir Mediu, pasi deklaratat e tij dhe ato të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Prokurorët e çështjes, me dëshmitë e përsëritura të ushtarakëve të lartë po mundohen të përcaktojnë përgjegjësitë konkrete në zgjedhjen e fshatit Gërdec për ngritjen e punishtes së vdekjes. Gjithashtu, sipas prokurorisë, me marrjen në pyetje të tyre pritet të zbardhen përgjegjësitë e ish-ministrit Mediu dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, pasi ky i fundit pretendon se ministri i ka hequr kompetencat duke ia kaluar MEICO-s dhe Komandantit të Forcave të Bashkuara.
F.Vezaj
DËSHMIA
Drejtori i Logjistikës, 8 orë në prokurori
TIRANË- Gjatë ditës së djeshme, grupi hetimor për të disatën herë merr shpjegimet e drejtorit të Logjistikës pranë Ministrisë së Mbrojtjes, Dashnor Çaushi. Vetëm gjatë ditës së djeshme, ai ka dëshmuar për rreth 8 orë, duke dhënë shumë detaje për mënyrën e lëshimit të urdhrave të transportimit të municioneve, procedurat e ndjekura gjatë marrjes dhe dorëzimit të këtyre fishekëve, përgjegjësit e transportimit, mënyrën e tërheqjes së tyre nga depot dhe dorëzimi i tyre pranë fabrikës. Gjithashtu, mësohet se drejtori i Logjistikës, Çaushi ka shpjeguar edhe për mënyrë e përgjegjësisë së mbikëqyrjes dhe krijimin e kushteve të sigurisë në repartet ushtarake.
HETIMET
Prokurori i Tiranës, jurist tek MEICO
TIRANË- Kryeprokurori i organit të akuzës në kryeqytet, Gent Xholi, ku prej disa ditësh po hetohet mbi tragjedinë e Gërdecit, ka qenë vite më parë jurist pranë ndërmarrjes shtetërore MEICO. Drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Ylli Pinari është arrestuar për tragjedinë e Gërdecit, ndërkohë që "Shekulli" u interesua për ndonjë lidhje të prokurorit Xholi, që mund ta fuste atë në konflikt interesi. Por dje, burime të gazetës, por edhe vetë prokurori i Tiranës, Gent Xholi pranoi se ka qenë jurist i kompanisë "MEICO", por nuk ka punuar asnjëherë me të pandehurin Pinari. Ai ka sqaruar se ka punuar si jurist në MEICO në maj të vitit 1997 deri në majin e vitit 1999, në kohën kur këtë kompani e kanë drejtuar dy drejtorë të tjerë, Bardhyl Rrapi dhe Pirro Ymeri. Sipas deklarimit të tij, fakti që ka qenë jurist i "MEICO-s" në ato vite nuk përbën kundërshtim me ligjin, përsa i përket hetimeve të ngjarjes së Gërdecit. "Do vazhdoj me vendosmëri hetimet, deri në zbardhjen e plotë të çështjes",-ka thënë prokurori i Tiranës, Gent Xholi gjatë një prononcimi për mediat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›