Janjic:Çështjet teknike, lehtëson njohjen e Kosovës nga Serbia

Çështjet teknike do ta lehtësonin njohjen e Kosovës nga Serbia. Të paktën kështu ka deklaruar Dushan Janjic, studiues në Institutin e Shkencave Shoqerore në Beograd. Raundi tjetër i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta, është shtyrë për në shtator, meqë nuk dukej se palët do të binin dakord për ndonjë marrëveshje dhe Janjiç, studiues në Institutin e Shkencave Shoqërore në Beograd, thotë se të dyja palët kanë pikësynime të caktuara që duan të arrijnë në këto bisedime.
Kosova dhe Serbia i filluan bisedimet në mars dhe në fillim të këtij muaji, u tha se palët kishin arritur marrëveshje për çështje të tilla si lëvizja e lirë, regjistrat civilë dhe diplomat. Studiuesi Dushan Janjiç thotë se Beogradi po përpiqet të përmbushë njërin nga kriteret për statusin e kandidatit në Bashkimin Europian. "Beogradi shpreson që t`i jepet statusi i kandidatit si dhe të zgjidhë disa probleme që kanë të bëjnë me serbët të cilët jetojnë në Kosovë dhe në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin politik negativ të kritikave që i bëhen nga opozita brenda vendit"- thotë eksperti. Ndërkohë, Prishtina thotë se këto bisedime sinjalizojnë fillimin e njohjes së Kosovës nga Beogradi. ``Nëse çështjet teknike që diskutohen mes Prishtinës dhe Beogradit do të zgjidhen, kjo do ta lehtësonte me të vërtetë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Nga bisedat që kam patur me politikanët e Kosovës, ata janë mjaft pragmatikë", saktëson më tej Janjic. Ai shtoi se për momentin, Presidenti Tadiç nuk ka shumë hapësirë për të manovruar. Një problem i tij është se në Serbi po afrohen zgjedhjet parlamentare që janë vitin tjetër. Por është e vërtetë, thotë Janic, se ai pati guximin t`i pranojë bisedimet. Ndërkaq sipas Janjiç, do të ishte shumë më mirë nëse në veriun e Kosovës vendosej një farë autonomie e brendshme se sa të bëhej një ndarje ose shkëputje e veriut e ai t`i bashkohej Serbisë.