E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Janos Hunyadi”, rruga merr emrin e heroit kombëtar të Hungarisë

Që sot, një prej rrugëve të Tiranës do të mbajë emrin e heroit kombëtar të Hungarisë “Janos Hunyadi”. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, zv/Kryetari i Bashkisë së Budapestit Miklós Csomós, Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, ambasadori i Hungarisë në vendin tonë, historianë e qytetarë të Tiranës. Për Kryetarin e Bashkisë Lulzim Basha, vendosja e emrit të heroit kombëtar të Hungarisë në Tiranë, e cila do te pasohet me vendosjen e shtatores së heroit tonë kombëtar, në një nga sheshet kryesore të Budapestit, është një moment për të festuar me krenari miqësinë e vjetër mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe sukseset e së ardhmes.
 

“Për dy qytetet tona, domethënia e këtij akti përkthehet në një marrëdhënie më të ngushtë, me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët tanë. Ne mund, duhet dhe do mësojmë nga përvojat e Budapestit, këtij qyteti të lashtë, të madh dhe të bukur të Evropës Qendrore, në sfida të përditshme që nga menaxhimi i trafikut, transporti publik, planifikimi urban e shërbime të tjera dhe po kështu presim që investitorët e Budapestit, të jenë më të pranishëm në Tiranë, në të gjithë sektorët e ekonomisë së qytetit tonë, për të siguruar një dinamikë më të madhe të marrëdhënieve ekonomike, që pa dyshim shndërrohet në vlera ekonomike dhe në punësim” - u shpreh Kreu i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha.
 

“Aleanca Janos Junyad dhe Skënderbeut ishte fillimi i miqësisë së gjatë shekullore mes dy vendeve liridashëse, populli shqiptar dhe atij hungarez. Të dy luftuan jo vetëm për lirinë e pavarësinë e popujve të tyre por ato mbronin gjithashtu popujt dhe kombet e Evropës gjithashtu. Për këtë arsye, këta heronj vlerësohen lart jo vetëm në mendjet dhe zemrat e popujve tanë por ata duhen edhe nga gjithë popujt liridashës të Evropës. Besoj se çdo herë që dikush ecën në këtë vend të Tiranës, ai apo ajo do të kujtojë të shkuarën tonë të përbashkët dhe historinë. Gjithashtu besoj se kalimtarët do të shikojnë dhe do të kuptojnë në këtë vend, të ardhmen tonë të përbashkët. Ne jemi të lidhur të punojmë për vlerat tona të përbashkëta evropiane, në familjen e zgjeruar të BE” u shpreh ambasadori hungarez Janos Huszar.
 

Përveç statujës së Skënderbeut në Budapest, do të emërtohet shumë shpejt në distriktin 12 të Budapestit, sheshi me emrin “Nënë Tereza”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›