E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jansa Imuniteti kerkese e BE opozita te mos bllokoje procesin

Gjatë vizitës zyrtare në Slloveni, Kryeministri Sali Berisha mori mbështetjen e homologut slloven, Janez Jansa, për procesin e integrimit të vendit, ndërsa kreu i qeverisë sllovene i bëri thirrje opozitës shqiptare të mos bllokojë çështjet që lidhen me integrimin. Një ndër to është kufizimi i imunitetit të zyrtarëve kusht i BE-së i papërmbushur për shkak të mungesës së votave të opozitës 
“Opozita në Shqipëri, në vendimmarrjet ku është zëri i saj, kur kjo nevojitet për ecjen përpara të vendit në BE, vota e saj  mund të jetë evropiane. Besojmë se opozita nuk do ta shfrytëzojë këtë si një tendencë të brendshme politike. Por do të ofrojë bashkëpunimin aty ku duhet  3/5 e votave. Ajo duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme. Këtu nuk kemi të bëjmë aspak me çështje që kanë të bëjnë vetëm me marrëdhëniet e brendshme të shtetit. Bëhet fjalë për kërkesa të cilat BE i ka përcaktuar, jo vetëm karshi Shqipërisë, por për çdo vend që synon t’i bashkëngjitet BE-së për të realizuar standardet evropiane. Edhe kur kemi të bëjmë me heqjen e imunitetit, po ashtu, kjo është një gjë që duhet të respektohet, sepse në kuptimin evropian, kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë një matje e forcës mes mazhorancës dhe opozitës, por duhet të jetë një bashkëpunim i të gjitha forcave politike që ky hap të arrijë sa më parë. Nëse BE vendos disa kushte të cilat duhet të plotësohen, atëherë shteti kandidat, sa më parë t’i plotësojë këto kushte”, vuri në dukje Jansa.  
Kreu i qeverisë shqiptare tha gjatë konferencës për median se ky projekt 10 vjeçar i Partisë Demokratike në asnjë rast nuk po kërkohet që të përdoret për kapital politik. Kufizimi i imunitetit theksoi kreu i qeverisë shqiptare është interesi i qytetarëve shqiptar, pasi lidhet ngushtë me luftën antikorrupsion
Deklaratat për çështjet e integrimit të Shqipërisë në BE, pasuan takimin kokë më kokë të dy Kryeministrave dhe atë të delegacioneve të dy vendeve. Bashkëpunimi ekonomik, siç u theskua edhe në këtë komunikim me median pritet të njohë ritme të reja. 
“Qeveritë e të dy vendeve do të bëjnë gjithçka që të krijojnë kushtet e favorshme të bashkëpunimit. Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik, më duhet të them se gjatë takimit me Kryeministrin kemi biseduar edhe për prokurimet publike në Shqipëri për investimet e huaja. Po ashtu edhe për hapësirat që ofrohen në Shqipëri për bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këto prokurime. Kryeministri më informoi se këto janë të favorshme dhe arrijnë standardet evropiane. Nga kjo pikëpamje, rrethanat ekonomike dhe administrative janë në favorshme për të thithur investime të firmave sllovene. Tani për tani këto investime janë të vogla, por besoj se në një të ardhme të afërt këto investime do të rriten”, nënvizoi Kryeministri Berisha.
Slloveneia gjithashtu ka mbështetur këto ditë Shqipërinë në kapërcimin e situatës emergjente që është krijuar për shkak të zjarreve, për çka Kryeministri shprehu mirënjohje. Kreu i qeverisë shqiptare ftoi gjithashtu publikisht kryeministrin slloven të vizitojë Shqipërinë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Gjatë vizitës në Slloveni, kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta dhe me presidentin, Danilo Turk, si dhe me Kryetarin e Kuvendit të Sllovenisë, Dr Gregor Virant.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›