E Diel, 1 Nëntor 2026

Një pasion dhe simbol i diplomacisë amerikane

In memoriam Richard Holbrooke

1. Ndal këtu, tha, dhe shefi i sigurimit tashmë nuk u befasua, ishte mësuar se kur je në veturë me ambasadorin Holbrooke do të ndalesh ku do të të thotë ai, dhe në vendet jo krejtësisht të sigurta siç është ky punkt policor në Bistazhin. Më thotë që të dal me të, e të bisedojmë me komandantin e punktit, një oficer serb të policisë i veshur me pajisje të plotë luftarake.

-Çka bëni këtu?, pyet thjeshtë dhe me buzëqeshje, si të ishte fjalë për një takim pikniku.

-Ne e mbrojmë këtë fshat nga terroristët myslimanë, përgjigjet komandanti, dhe tregon me gisht kah kisha katolike  e Bistazhinit.

Holbrooke kthen kokën kah unë, dhe më pyet a është e vërtetë.

-Në UÇK ka ushtarë e eprorë katolikë e myslimanë. Ata janë në luftë me regjimin tuaj, jo mes vete, them.

Biseda përfundon, kthehemi në veturën e blinduar , Holbrooke më në fund i zgjuar nga gjumi që e merrte prej se ishim nisur në Prishtinë para tri orësh, duke i rënë rrugës së gjatë, nëpër Sharr për në Dukagjin, në këtë verë të vitit 1998.

-Kështu humbëm në Vietnam, me punkte të zgjatura gjithandej territorit që nuk mund të mbahej, thotë ndërsa ndien se kishte nevojë të shpjegonte ndaljen. Përpiqej ta kuptonte luftën në Kosovë, prej perspektivës së luftëtarëve.

Në Junik, hyjmë në një odë me ushtarë të UÇK-së. Syri i tij do të identifikojë në këtë takim 30 minutësh lehtësisht nuancat: kryetarin e degës së LDK-së që ka uniformën e aviatorit e që duket se komandon vetëmbrojtjen e fshatit, komandantin tjetër, që nuk është i fshatit, që identifikohet si poet dhe si i ardhur nga Suedia, “përgjegjës për moral”- dy vija të ndryshme politike që fërkohen e kërkojnë dominim, ndërsa fshati rri i rrethuar prej forcave serbe vetëm një kilometër larg.

Një ditë më pas, në Prishtinë, përtej analizave me shkrim që i serviren nga State Department, do të përpiqet të depërtojë te pasqyra e thjeshtë e asaj që ndodh në Kosovë, dhe do të mendojë me zë:

Vendi ka hyrë në një konflikt ku Serbia nuk mund ta mbajë të pushtuar ushtarakisht e as politikisht Kosovën e Kosova nuk mund ta çlirojë veten, sepse nuk ka fuqi për këtë. Ende nuk ka vullnet për bisedime mes dy palëve, sepse Serbia është në avantazh ushtarak dhe diplomatik, e Kosova nuk ka një forcë që të flasë për të, shqiptarët e Kosovës po zihen me njëri-tjetrin.

Holbrooke mbërriti të simbolizojë vlerën e diplomacisë amerikane: prania në terren, qoftë ai edhe më i papërshtatshëm, analiza e ftohtë dhe pasioni.

2. Ndërsa lehtësia e analizës, së depërtimit të kësaj mendjeje të mprehtë në thelbin e problemit ishte diçka që do të impresiononte çdo bashkëbisedues, po aq impresive do të ishte aftësia e tij për të krijuar ngjarje nga vetvetja. Në njërën prej vizitave, do të analizonte mbylljen e rrugës Prishtinë-Pejë dhe pozicionimin e forcave serbe e të UÇK-së në udhëkryqin e Kijevës, diçka që përsëritej në shumë vende të Kosovës dhe i rrethuar nga kamerat e CNN, “Reuters”, BBC do të deklaronte ngadalë, duke theksuar çdo fjalë, e një peshë tonaliteti se “Kijeva mund të jetë vendi më i rrezikshëm në Europë sot”.

Holbrooke tashmë llogariste jo vetëm në përvojën e tij të Vietnamit, ku e kishte filluar karrierën në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, por në famën e tij prej ylli televiziv, të fituar me ndërmjetësimin e fundit të luftës në Bosnjë. Ishte i sigurt që kur ai të thoshte se Kijeva është vendi më i rrezikshëm në Europë, në çdo kancelari europiane dhe në State Department, shefat e mëdhenj, bile edhe ministrat do të uleshin mbi harta e incizime satelitore për të parë se ç’dreqin është puna e këtij vendi për të cilin nuk kishin dëgjuar kurrë më parë.

Shpotitësit me të do të thoshin se vendi më i rrezikshëm në botë është hapësira mes Holbrooke-ut dhe kamerës televizive (nuk guxonte kush të hynte aty!) e kritikët e tij do të thoshin se ai “vallëzon me diktatorë”, titull ky i një libri që kritikonte marrëdhënien e SHBA-së me Filipinet e Markosit.

Në fakt, qenë dy fytyra që kanë mundur të njohin njerëzit që krijuan një afërsi me të. E para ishte ajo e diplomatit profesionist, që do të bisedojë me njerëz me duart e përgjakura, siç ishte Milosheviçi, dhe ende të ruajnë respektin për bashkëbiseduesin. Ajo fytyra tjetër ishte e njeriut që kishte ndjenja për viktimën. Në një zyrë të një miku tonë të përbashkët në Nju Jork, muaj pasi që ritakoheshim - pas një pauze “ngrirje kontaktesh” për shkak të kritikave të mia ndaj qasjes ndërmjetësuese amerikane-do të pranonte se armëpushimi mes UÇK-së dhe Milosheviçit, të cilin e kishte arritur në tetor të vitit 1998 nuk do ta ndërpriste luftën, se ai do të dëshironte të ishte arritur më shumë, por se kjo është e tëra që mund të bëhej në atë moment, dhe se së paku “do të mund të ndihmojmë ata dhjetëra mijëra të zhvendosur që janë pa kulm mbi kokë”.

Kosova nuk do të shpëtonte vitin e ardhshëm pa Amerikën, konkludonte, dhe këtë konkludim ia kishte përcjellë sekretares së Shtetit dhe Presidentit. Kështu, me vulën e tashmë simbolit të diplomacisë amerikane. Një provincë e thellë europiane, një zorrë çorre, hynte në top listën e problemeve të Superfuqisë botërore

3. Në një darkë të gjatë në një ishull grek, ndërsa merrnim pjesë në një konferencë, i thashë që do të ishte mirë që tash, kur lufta kishte përfunduar, Kosova çliruar dhe fillet e demokracisë qenë vendosur, të rivizitonte Kosovën dhe të jepte një përkrahje për punën që e priste vendin, arritjen e pavarësisë dhe demokracisë. Ndërsa vazhdonte darka u dakorduam që do të ishte mirë ta kishim edhe një europian dashamirës, dhe nuk pati shumë nevojë të kërkonim e të gjenim mikun e përbashkët, ish-kryeadministratorin Kouchner.

I rishfaqur në Prishtinë, Holbrooke që tashmë ishte zëvendëspresident banke, u rikthye në pasionin e tij fillestar, të kuptuarit e njerëzve, të konfliktit në të cilin gjenden, në perspektivën për ta zgjidhur atë. Në një drekë që shtrova për 60 vetë, ai kalonte prej tavoline në tavolinë, dëgjonte, shikonte, konkludonte, prekte pulsin e një shoqërie që ende nuk kishte një përcaktim parësor. Shqiptarët vazhdonin të ishin të ndarë, por tashmë të lirë për të zgjedhur ardhmërinë e tyre pa kërcënimin e tytave të pushkës. Në mbrëmje do të shprehte habinë se përse nuk shfrytëzohej ky shans historik, për të ndërtuar një shtet funksional, demokratik, respektues të minoriteteve dhe të pavarur.

Dhe, deshi të shkonte në “Tricky Dick’s”, barin që kishte karikaturën e tij në vitrinë. Me sens të mirë humori, kishte pranuar që të identifikohej me këtë emër (“Dick Hileçari”), edhe pse kjo nofkë i përkiste një Richardi tjetër, Nixon.

4. Të dielën bisedova me mikun e tij më të ngushtë, njeriun me të cilin kishte filluar karrierën në një varkë të lumit Mekong në Vietnam. Frank Wisner, ambasadori amerikan që ndihmoi rrugën e Kosovës për në pavarësi ishte në spital në Uashington dhe përcillte gjendjen e shokut të tij të shtrenjtë, pas operacionit 20 orësh. “Shumica e njerëzve me këtë plasje aorte vdesin pas tri orësh”, më tha, “por zemra e tij vazhdon të luftojë për jetë”.

Sot në mëngjes me orën e Kosovës, kjo zemër pushoi së rrahuri. Ishte e madhe, dhe në të Kosova zinte vend të spikatur.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›