Japoni, ristrukturohet kabineti qeveritar

Kryeministri japonez, Yoshihiko Noda njoftoi sot një ristrukturim të kabinetit qeveritar para zgjedhjeve legjislative të parakohshme dhe për shkak të konfliktit diplomatik me Kinën.
Siç është e zakonshme në Japoni, kabineti dha dorëheqjen para se Noda të njoftonte përbërjen e re të qeverisë duke përfshirë tetë anëtarë ekzistues dhe 10 të rinj.
Me këtë ristrukturim, kryeministri shpreson të rrisë popullaritetin e tij, që pësoi një ulje pas miratimit të një ligji që parashikonte rritjen e taksave mbi konsumin.
Noda emëroi në krye të ministrisë së Arsimit, Makiko Tanaka, një personalitet shumë i njohur në Kinë. Tanaka nuk do të ketë asnjë rol diplomatik zyrtar, por emërimi i saj është kryesisht simbolik, sipas shtypit.
Ajo është e bija e ish-kryeministrit, Kakuei Tanaka, i cili nxiti normalizimin e marrëdhënive Kinë-Japoni 40 vjet më parë dhe imazhi i të cilit mbetet pozitiv në Pekin.