Dialogu me Serbinë: S’ka bazë ligjore për referendum

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se partitë politike kosovare duhet të zhvillojnë një debat dhe të dilet me një qëndrim të përbashkët karshi zhvillimit të dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë. Kur është pyetur se a duhet Kosova të mbajë referendum për këtë çështje, ai nuk e ka pohuar e as mohuar, por ka thënë se e përkrah një mendim të pjekur të partive politike. LDK dhe Vetëvendosja janë për mbajtjen e referendumit, ndërsa PDK është kundër.
I pari i Kuvendit pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të hënën është pyetur se a duhet që Kosova të mbajë një referendum se a duhet të hyjë në bisedime politike me Serbinë apo jo, ai ka thënë se duhet një debat të zhvillohet brenda partive politike në vend.
Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se mbajtja e një referendumi të tillë është humbje kohe. Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri i pyetur se a ekziston baza ligjore për mundësinë e mbajtjes së referendumit, ka thënë se kjo është e drejtë kushtetuese dhe ekziston edhe baza ligjore. Ndërkaq, edhe partia tjetër opozitare Lëvizja Vetëvendosje përkrah mbajtjen e referendumit edhe pse thotë që mungon për momentin baza ligjore.