E Diel, 1 Nëntor 2026

Japonia zhvillon homazhe për viktimat e Cunamit të 11 marsit 2011

ISHINOMAKI - Japonia zhvilloi sot homazhe mijëra viktima të tërmetit dhe cunamit që shkatërroi një vit më parë brigjet verilindore të arkipelagut duke shkaktuar katastrofën më të rëndë bërthamore që prej një çerek shekulli.

Që prej orëve të para të mëngjesit, radiot dhe televizionet japoneze filluan me programe speciale, me dëshmitarë të shumtë që shprehnin dhimbje për të afërmit e tyre të zhdukur apo nervozizmin kundër rindërtimit të ngadaltë.

Në pjesën më të madhe të vendit, çdo gjë u ndërpre në orën 05:46 GMT, moment ku një tërmet i fuqishëm me magnitudë nëntë ballë të shkallës Rihter goditi verilindjen e arkipelagut më 11 mars 2011 duke shkaktuar dallgë me një lartësi prej dhjetëra metrash.
Trasnportet publike u ndërprenë, ndërkohë që u mbajt një minutë heshtje në lagjet tregtare të Tokios dhe qytetet kryesore japoneze për të nderuar kujtimin e rreth 19 000 të vdekurve dhe të zhdukurve.
Perandori Akihito, i sapo dalë nga spitali pas një ndërhyrje kirugjikale dhe kryeministri Yoshihiko Noda mbajtën një fjalim gjatë një ceremonie të organizuar në Teatrin Kombëtar të kryeqytetit.
Në rajonet e shkatërruara nga katastrofa më e rëndë e regjistruar në Japoni që prej luftës, të mbijetuarit ndezën mijëra qirinj në kujtim të viktimave.
Në Tokio, gjatë ceremonisë zyrtare të organizuar në Teatrin Kombëtar me pjesëmarrjen e perandorit Akihito, bashkëshortes së tij dhe anëtarëve të qeverisë, rreth 1 200 të ftuar kanë kënduar himnin kombëtar.
Në skenë, mes një buqete të madhe lulesh dhe krizantemash u zbulua një yll prej druri që i dedikohej të vdekurve dhe të zhdukurve.
"Një vit pas katastrofës më të rëndë, shpreh ngushëllimet e mia më të thella për të gjithë ata që kanë humbur jetën'', deklaroi sovrani, simboli i popullit.
Kryeministri premtoi se do të bënte gjithçka për rindërtimin e rajoneve të shkatërruara dhe do t'ia transmetonte kujtimin e kësaj tragjedie gjeneratave të ardhshme.

Për shkak të katastrofës së trefishtë, më shumë se 340 000 persona jetojnë që prej një viti jashtë shtëpive të tyre, në kushte të pasigurta.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›